Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka reaguar pas tentim-sulmit ndaj drejtorit të Gazetës Express, Berat Buzhalës
AGK përmes një komunikatë thotë se është shqetësues lajmi për tentim-sulmin ndaj gazetarit Buzhala.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, me shqetësim ka pranuar njoftimin për tentim-sulmin ndaj gazetarit Berat Buzhala. Pas pranimit të informatave për këtë rast, AGK ka kontaktuar autoritetet për të marrë përgjigje zyrtare. Policia e Kosovës, në përgjigjen drejtuar AGK-së, ka bërë të ditur se është duke proceduar rastin dhe të gjitha veprimet hetimore janë në proces sipas procedurave ligjore dhe në konsultim me prokurorin kompetent”, thekson AGK-ja.
Duke e konsideruar këtë akt të papranueshëm, AGK kërkon nga Policia e Kosovës dhe të gjithë ata që janë të thirrur për të mbrojtur dhe ruajtur rendin e ligjin, hetim të menjëhershëm që kryerësit e kësaj vepre të dalin sa më parë para drejtësisë.