Zyrtarët nga Qendra për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe ekspertët e epidemiologjisë nga e mbarë bota, muajin e kaluar kanë diskutuar rreth asaj se çfarë mund të ndodhë nëse koronavirusi do ta pushtojë dhe do të vendosë “rrënjë” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sa njerëz mund të vdesin dhe sa të tjerë do të infektohen?
Mathew Biggerstaff dhe ekipi i tij kanë modeluar 4 skenare të mundshme të kësaj gjendjeje, të cilat ishin të bazuara në karakteristikat e virusit, duke përfshirë atë se sa ishte ngjitës dhe sëmundjet, që ky virus mund t’i shkaktoj. Këto sugjerime të përcjella nga “The New York Times”, ishin kryer nga një ekip i përbërë nga 50 ekspertë, për të krijuar modele, se si virusi mund të përhapet nëpërmjet popullsive dhe çfarë duhet të veprohet për ta ndaluar përhapjen e mëtejmë të tij.
Këto katër skenare, ishin përshkruar duke u mbështetur në përqindje të popullsisë. Këto përqindje ishin përkthyer në numra të saktë të njerëzve, duke përdorur modele se si virusi përhapet mes tyre, dhe si mund të jetë rasti më i rrezikshëm i infektimit.
Në bazë të projeksioneve të krijuara nga ekspertët, nëse virusi vazhdon përhapjen e tij, vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të preken 160 deri në 214 milion njerëz, në mesin e të cilëve 200.000 deri 1.7 milion njerëz mund ta humbin jetën.
Këto kalkulime të bazuara në skenare të krijuara nga Qendra e Kontrollimit të Sëmundjeve, kanë sugjeruar që 2.4 deri në 21 milion persona në ShBA mund të kërkojnë hospitalizim, gjë që potencialisht do të ishte dërrmuese për sistemin shëndetësor në ShBA, i cili ka 925.000 shtretër.
Skenaret e krijuara nga ekspertët e epidemiologjisë, mund të zbuten nga fakti se shumë shtete, qytete, biznese dhe individë kanë filluar të ndërmarrin hapa konkretë, në ndalimin e përhapjes së mëtejme të virusit. Këta ekspertë, janë duke krijuar edhe disa modele të sofistikuara, për të dëshmuar se si intervenimet mund ta ulin numrin e të prekurve dhe ta ndalojnë përhapjen e koronavirusit dhe së shpejti do t’i publikojnë.