Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret që qytetarët e saj të lëvizin pa viza në vendet e BE-së por mbetet në diskrecionin e shteteve anëtare të BE-së të vendosin nëse liberalizimi do të ndodhë.
Kështu ka deklaruar në një intervistë për lajmi.net, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova.
Apostolova është shprehur se Komisioni dhe Parlamenti Evropian kanë konstatuar se Kosova i ka mbushur të gjitha kushtet por mbetet në vendimin e shteteve anëtare të BE-së se çfarë do të ndodh në këtë temë.
Ajo ka porositur autoritetet kosovare të lobojnë në mënyrë që t’i bindin shtetet anëtare të BE-së sa më shpejtë që liberalizimi i vizave të ndodh.
“Ne duam që kosovarët të jenë në gjendje të udhëtojnë pa viza sa më shpejt që të jetë e mundur. Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian e kanë thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet, dhe kanë rekomanduar që të hiqen vizat për Kosovën. Tani duhet të merret një vendim përfundimtar nga shtetet anëtare të BE-së. Autoritetet e Kosovës duhet të bëjnë gjithçka munden që t’i bindin sa më shpejt shtetet anëtare të BE-së se pranimi i udhëtimit pa viza brenda Zonës Schengen për kosovarët është një fitore për të dyja palët.”, thuhet në përgjigjen e BE-së për lajmi.net.
Më tutje, Apostolova ka thënë se rrugët e Kosovës dhe BE-së do të jenë gjithmonë të bashkuara, duke shtuar se rinia e Kosovës është gjëja më mbresëlënëse lidhur me shtetin më të ri në kontinent.