Azemi: Kompanitë po i largojnë punëtorët nga puna, pakoja emergjente nuk mjafton

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës, përmes një konference për media ka bërë të ditur se shumë kompani janë duke i larguar punëtorët nga puna. Po ashtu, kjo sindikatë vlerëson se pakoja emergjente e miratuar nga qeveria nuk është e mjaftueshme.

Kryetari i kësaj sindikate Jusuf Azemi, ka thënë se punëtorët e sektorit privat po ballafaqohen me shumë probleme.

“Ende shumë punëtorë ballafaqohen me mungesë të masave mbrojtëse. Shumë kompani janë duke i larguar punëtorët nga puna. Punëtorëve kanë filluar t’iu ulin pozitat dhe t’iu ofrojnë kontrata tjera gjatë kësaj periudhe”, ka thënë ai.

Reklama e sponzorizuar

Azemi ka bërë të ditur se për këto shkelje, Sindikata i ka kërkuar Qeverisë ndërmarrjen e masave ndaj kompanive.

Sa i përket pakos emergjente, Azemi ndërkaq ka thënë se do të arrijë t’i paguajë të gjithë punëtorët e sektorit privat.

“Pakoja emergjente ka bërë një gabim shumë të madje, sepse nuk është konsultuar fare. Derisa ka ndarë mjete për pagat e punëtorëve, as ata nuk e dinë se për cilat kategori janë ndarë. Rreth 120 mijë punëtorë i kemi pa kontrata pune dhe me kohë e kemi ndarë me qeverinë. I bëj ftesë Ministrisë së Financave se nuk do të jetë e mjaftueshme shuma e paraparë. Të ketë një fond rezervë prej 36 milionë eurosh, për kategoritë që qeveria nuk i ka parë që të paguhen. Është jo serioze ta bëjmë një ndarje të tillë, mjekët stimulohen ndërsa punëtorët teknikë që i pastrojnë shtretërit e personave të sëmurë nuk paguhen”, tha ai, raporton ksp.

Ai po ashtu ka propozuar që të bëhet një nivelizim i pagave të punëtorëve të sektorit publik me ata të sektorit privat.