Koreja e Jugut, Kina dhe Singapori janë në mesin e shteteve aziatike që po presin të përballen me valën e dytë të koronavirusit, duke e marrë nga njerëzit që vijnë prej jashtë shteteve.
Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë në Kinë ka raportuar se s’ka pasur asnjë rast të transmetuar brenda Kinës për herë të parë që kur shpërtheu virusi në dhjetor. Nuk pati asnjë rast as në Wuhan, epiqendrën e shpërthimit të virusit, por 34 raste erdhën nga jashtë. Numri i vdekjeve në Kinë ka mbetur në 3245.
Singapori raportoi 47 raste të reja, 33 nga të cilat ishin të importuara.
Koreja e Jugut pati rritje të rasteve të reja me 152, dhe nuk dihet sa ishin të importuara.
Japonia të mërkurën ka njoftuar për tri raste të reja. Zyrtarët kanë kërkuar sërish që njerëzit të rrinë nëpër shtëpi.
Të katër shtetet kanë treguar sukses në kontrollimin e rasteve me virus, por ka shqetësime për njerëzit që vijnë nga jashtë.
Koreja e Jugut ishte lavdëruar për përgjigjen e shpejtë ndaj virusit, duke testuar shumë njerëz e duke izoluar shpejt pacientët. Para të mërkurës numri kishte rënë ndjeshëm. Zyrtarët shëndetësorë kanë thënë se akoma s’ka vend për qetësi dhe se nuk duhet të grumbullohen.
Fokusi për koronavirus ka kaluar në Evropë e SHBA, ku numri po tregon rritje të madhe. Deri tash në botë janë regjistruar gati 220 mijë të infektuar. Afër 9000 është numri i vdekjeve.