Numri total i viktimave nga koronavirusi në Itali është rritur për 756, duke i çuar kështu shifrat në 10,779, ka njoftuat të dielën Agjencia për Mbrojtje Civile, që shënon kështu edhe rënien e numrit të viktimave për të dytën ditë me radhë.
Numri i fataliteteve, dukshëm më i larti nga të gjitha vendet në botë, llogaritet më shumë se një e treta e të gjitha vdekjeve nga virusi infektiv në mbarë botën.
Shifra më e lartë e të vdekurve në Itali u regjistrua të premten, kur vdiqën 919 persona. Të shtunën ishin 889 vdekje, raporton Reuters.
Edhe te numri i të infektuarve ka një rënie nga një ditë më parë. Nga 92,472 sa ishin dje, sot ky numër është rritur në 97,689, që është edhe shifra më e ulët e rasteve të reja nga e mërkura, transmeton KOHA.
Nga të gjithë të infektuarit në mbarë vendin, të dielën u shëruan plotësisht 13,030 persona, në krahasim me 12,384 një ditë më parë. Në kujdesin intensiv ishin 3,906 persona, që ka shënuar rritje nga 3,856 sa ishin një ditë më parë.
Vetëm në Lombardi, që është rajoni më i goditur italian, u raportuan 416 vdekje të dielën.
Kurse, në Spanjë shifra e viktimave nga virusi po shkon duke u rritur. Në 24 orët e fundit atje janë regjistruar 838 raste të reja, duke e çuar numrin e të vdekurve në 6,528, ka thënë të dielën ministria e Shëndetësisë. Ky edhe është numri më i lartë i regjistruar i vdekjeve në vend.
Numri total i të infektuarve është rritur në 78,797, nga 72,248 sa ishin të shtunën.
Më shumë se 662,700 persona janë infektuar nga koronavirusi në mbarë botën, ndërsa 30,751 kanë vdekur, sipas përllogaritjeve të Reutersit.