Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar qytetarët se të gjitha bankat dhe bankomatët e vendit janë duke funksionuar normalisht, edhe pas situatës së krijuar nga koronavirusi COVID-19.
BQK-ja ka treguar se të gjitha hapësirat e bankave në Kosovë janë duke u dezinfektuar rregullisht, mirëpo si masë mbrojtëse ndaj parandalimit të përhapjes së virusit, ata kanë rekomanduar që degët bankare të shfrytëzohen sa më rrallë nga qytetarët, dhe si zgjidhje t’i përdorni kartelat bankare dhe kanalet elektronike për të kryer shërbimet e juaja bankare.
Njoftimi i plotë:
“Pas situatës së krijuar si rezultat i #Covid19, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ju njofton se të gjitha Bankat e Kosovës janë duke funksionuar normalisht, ashtu sikur edhe zonat 24/7 dhe bankomatët. Këto hapësira janë duke u dezinfektuar rregullisht nga ana e bankave, por duke pasur parasysh masat mbrojtëse të rekomanduara si pjesë e parandalimit të shpërndarjes së virusit, ju lutemi që degët bankare t’i shfrytëzoni sa më rrallë dhe të përdorni më tepër kartelat bankare, dhe kanalet elektronike për të kryer shërbimet tuaja bankare.” /Buletini Ekonomik/