Cakaj: Themelohet nisma tripalëshe Kosovë-Shqipëri-Kroaci

Mbledhje të rregullta në nivel ministrash të jashtëm dhe krijim platformash politike priten ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, pas krijimit të një nisme tripalëshe nga kryediplomatët e këtyre shteteve.

Krijimin e kësaj nisme e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, përmes një statusi në “Facebook”.

“Pas bisedave me Ministrin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me Ministrin e Jashtëm të Kroacisë, Goran Grliq – Radman, kemi vendosur përfundimisht themelimin e nismës trepalëshe mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Republikës së Kosovës”, shkruan ai, transmeton Koha.net.

Reklama e sponzorizuar

Cakaj ka bërë të ditur se takimi i parë do të mbahet në Shqipëri brenda këtij viti, përderisa takimet e tjera do të mbahen çdo vit nëpër qytete të ndryshme të të trija vendeve.

“Kjo nismë do t’i shërbejë thellimit të marrëdhënieve mes vendeve tona, por edhe zbatimit të objektivave të përbashkëta strategjike veçanërisht në fushën e politikës së jashtme”, shkruan ai.