Covid-19 infekton ekonominë botërore

Si mund të rigjallërohet ekonomia botërore. Recesioni është i pagjasë, por jo i pamundur.

Javën e fundit të shkurtit, tregjet financiare u zgjuan ndaj rreziqeve të pandemisë Covid-19, ndërsa javën e parë të marsit, politikanët u hodhën në veprim. Fakti që PBB-ja globale mund të reduktohet për një pjesë të këtij viti dhe rreziku i një paniku financiar dhe krize kredie, ka bërë që bankat qendrore të ulin normat e interesit me një ritëm të parë për herë të fundit në krizën financiare të viteve 2007-’09, shkruan The Economist.

Më 3 mars, Rezerva Federale uli normën e interesit me 0.5%, dy javë para takimit të planifikuar mbi politikën monetare. Bankat qendrore në Australi, Kanada dhe Indonezi gjithashtu kanë ulur normat e tyre të interesit. Banka Qendrore Europiane dhe Banka e Anglisë ndërmorën stimuj të fortë monetarë. Nëse tregjet monetare janë të drejta, priten më shumë shkurtime federale.

Reklama e sponzorizuar

Shkalla e normës së politikës monetare globale, sipas një indeksi të përpiluar nga banka Morgan Stanley, pritet të ulet në 0.73% deri në qershor, krahasuar me 1% në fillim të këtij viti dhe 2%, që ishte në fillim të vitit 2019.
Sidoqoftë, ekziston shqetësimi se ulja e normave mund të mos jetë zgjidhja. Kjo pjesërisht për shkak se ato janë tashmë tepër të ulëta. Një rregull i artë i luftës ndaj krizave është që për të qenë të besueshëm, gjithmonë duhen pasur në dispozicion më shumë mjete mbrojtëse. Në vitet 2008-‘10, niveli global i normës së interesit ra me 3%. Sot, jashtë Amerikës, normat e interesit në vendet e pasura janë afër zeros ose nën zero. Edhe Rezerva Federale ka kufizimet e veta për ulje të mëtejshme – ndoshta një arsye pse çmimet e aksioneve nuk u gjallëruan pas manovrës së saj të fundit.

Tensioni gjithashtu buron nga natyra e pazakontë e tronditjes me të cilën po përballet ekonomia – që përfshin efektet e kërkesës, ofertës dhe besimit. Kohëzgjatja e problemeve ekonomike varet kryesisht nga fakti sesa i rëndë është shpërthimi i sëmundjes dhe nga masat e shëndetit publik të ndërmarra për ta përmbajtur atë.
Duke pasur parasysh këto paqartësi, politikanët e dinë që megjithëse ulja e normës së interesit është një mundësi, janë të nevojshme edhe masa fiskale dhe financiare për t’i ndihmuar bizneset dhe individët që t’i bëjnë ballë një krize parash të përkohshme, por pikëlluese.

Një nga mënyrat sesi e dëmton virusi ekonominë, është duke shkëputur zinxhirin e furnizimit me punë, mallra dhe shërbime. Njerëzit sëmuren. Shkollat mbyllen, duke i detyruar prindërit të qëndrojnë në shtëpi. Karantinat mund t’i detyrojnë vendet e punës të mbyllen plotësisht. Kjo shoqërohet me efekte të konsiderueshme në kërkesë. Disa janë të pashmangshme: njerëzit e sëmurë dalin më pak dhe blejnë më pak mallra. Masat e shëndetit publik gjithashtu kufizojnë aktivitetin ekonomik.

Vendosja e më shumë parave në duart e konsumatorëve nuk do të ndihmonte shumë në kompensimin e një ngadalësimi të tillë, i pangjashëm me rëniet e zakonshme. Aktiviteti do të rifillojë vetëm pasi shpërthimi të ndjekë rrjedhën e vet. Më pas do të vijnë edhe efektet anësore. Kompanitë dhe familjet do të përballen me një krizë parash. Të marrim si shembull 2000 kompani të zakonshme amerikane.

Imagjinoni që të ardhurat e tyre ngecin në vend për tre muaj, por kompanitë duhet të vazhdojnë të paguajnë shpenzimet fikse, sepse presin një rimëkëmbje të mprehtë. Çereku i tyre nuk do të kishin para të mjaftueshme rezervë për rimëkëmbje ekonomike, kështu që do të përpiqeshin të huazonin ose të ulnin kostot. Disa mund të falimentonin. Studiuesit e Bankës për Zgjidhjet Ndërkombëtare, një klub i bankave qendrore, kanë zbuluar se mbi 12% e kompanive në vendet e pasura nxjerrin shumë pak të ardhura për të mbuluar pagesat e interesit.

Një numër i madh punëtorësh gjithashtu nuk kanë rezerva të mëdha sigurie. Ata rrezikojnë të humbasin të ardhurat dhe punën, ndërkohë që duhet të vazhdojnë të shlyejnë hipotekat dhe të blejnë mallrat thelbësore. Më shumë se një në dhjetë të rritur amerikanë, nuk do të ishin në gjendje të përballonin një shpenzim të papritur prej 400 dollarësh, të barabartë me një punë dyditore me të ardhura mesatare, sipas një studimi të Rezervës Federale.
Nga frika e një goditjeje në xhepat e tyre, njerëzit mund të fillojnë të ruajnë para të thata në vend që të shpenzojnë, duke përkeqësuar edhe më tej gjendjen e kompanive.

Parashikimi i goditjes së aktivitetit ekonomik nuk është punë e lehtë. Në Kinë, e cila është një muaj përpara pjesës tjetër të botës në shpërthimin e sëmundjes, një sondazh i menaxherëve të blerjeve tregon se prodhimi i fabrikave në shkurt u ul në nivelin më të ulët që prej vitit 2004, kur drejtuesit e fabrikave u morën për herë të parë në pyetje. Ka të ngjarë që në tremujorin e parë, PBB-ja do të kontraktohet për herë të parë që prej vdekjes së Mao Ce Dunit në vitin 1976.

Parashikuesit presin një rënie të mprehtë të prodhimit edhe në pjesën tjetër të botës (shih grafikun 1). Sipas përllogaritjeve të bankës Goldman Sachs, PBB-ja globale do të ulet me një normë vjetore prej 2.5% në tremujorin e parë. Nëse fati do të jetë i mirë, rënia do të përfundojë pasi virusi të ketë ndalur përhapjen. Por edhe nëse ndodh kështu, shpejtësia dhe madhësia e rimëkëmbjes ekonomike varet gjithashtu nga shkalla në të cilën do të shmangen efektet e kushtueshme anësore.

Prandaj bankierët qendrorë dhe Ministritë e Financave po përqendrohen në ndërhyrje më specifike (shih grafikun 2). Këto ndahen në tre kategori kryesore: politika për të siguruar që kredia të qarkullojë pa probleme nëpër banka dhe tregje monetare; masa për të ndihmuar kompanitë të përballojnë kostot fikse, si qiratë dhe taksat; dhe masat për të mbrojtur punëtorët, duke subvencionuar kostot e pagave.

Duhet filluar me flukset e kredisë. Bankat qendrore dhe rregullatorët financiarë janë përpjekur të sigurojnë që tregjet të mos ngecin në vend, por të vazhdojnë të mundësojnë fonde për ata që kanë nevojë. Më 2 mars, Banka e Japonisë kreu 500 miliardë jen (4,6 miliardë dollarë) operacionesh repo, për të siguruar likuiditet të mjaftueshëm në sistem.

Banka Popullore e Kinës u ka ofruar bankave kredi prej 800 miliardë juan (115 miliardë dollarë, ose 0.8% të PBB-së), për sa kohë që ato i përdorin paratë për të dhënë kredi për kompanitë e goditura keq nga virusi. Bankave u është kërkuar të mos tregohen të ashpra me kompanitë që duhen të paguajnë kreditë në një afat të afërm.

Edhe qeveritë po i ndihmojnë kompanitë me kostot e tyre, lloji i dytë i ndërhyrjes. Singapori planifikon të ulë taksat e korporatave dhe ato të qirave dhe pronave tregtare. Koreja do të japë para për firmat e vogla që kanë vështirësi në pagimin e rrogave. Italia do të ofrojë kredi tatimore për firmat që pësojnë një rënie të qarkullimit prej 25%. Në Kinë, qeveria u ka kërkuar qiradhënësve shtetërorë të ulin çmimet e qirave dhe u ka dhënë subvencione pronarëve të sektorit privat për të ndjekur të njëjtin shembull.

Grupi i fundit i masave ka për qëllim të mbrojë punëtorët, duke parandaluar pushimet nga puna dhe duke mbajtur të ardhura të qëndrueshme. Qeveria e Kinës ka miratuar një shkurtim të përkohshëm të kontributeve të sigurimeve shoqërore. Japonia do të subvencionojë pagat e njerëzve që janë të detyruar të marrin leje nga puna për t’u kujdesur për fëmijët ose për të afërmit e sëmurë. Singapori ka shpallur grante parash për punëdhënësit e punëtorëve të prekur.

Sot këto politika janë duke u shpallur në mënyrë sporadike, dhe zbatimi i tyre është i pasigurt. Teksa virusi po përhapet, priten më shumë ulje të normave të interesit, por edhe përdorimi më sistematik i një ndërthurjeje komplekse mjetesh ekonomike. /monitor.al/