Eksperti i OBSH: Vetëm izolimi nuk mjafton, vaksina kërkon të paktën 1 vit

Eksperti më i lartë i emergjencave në Organizatën Botërore të Shëndetësisë deklaroi se vendet nuk duhet të mjaftohen me izolimin e popullsisë.

Në një intervistë për BBC, Mike Ryan tha se shtetet duhet të shoqërojnë masat kufizuese me masa të shëndetit publik dhe se duhet gjurmuar cdo rast i mundshëm.

“Ajo që ne me të vërtetë duhet të përqendrohemi është gjetja e atyre që janë të sëmurë, ata që kanë virusin dhe izolimi i tyre, gjetja e kontakteve të tyre dhe izolimi i tyre,” tha ai.

Reklama e sponzorizuar

Eksperti i OBSH-së shtoi se rreziku i izolimit pa u shoqëruar me masa sanitare rrezikon që virusi të shfaqet sërish.

Ryan tha se shembujt e Kinës, Singaporit dhe Koresë së Jugut, të cilat shoqëronin kufizimet me masa rigoroze për të testuar çdo të dyshuar të mundshëm, siguruan një model për Evropën, për të cilën OBSH ka thënë se ka zëvendësuar Azinë si epiqendrën e pandemisë.

“Pasi të kemi ndërprerë transmetimin, ne duhet të gjurmojmë virusin. Ne duhet ta luftojmë virusin,” tha Ryan.

Sa i përket vaksinës kundër COVID-19, Ryan tha se disa janë në zhvillim, por vetëm një në Shtetet e Bashkuara ka filluar të testohet. I pyetur se sa kohë do të duhet për të patur në dispozicion një vaksinë ai kërkoi që të jemi realistë.

“Ne duhet të sigurohemi që është absolutisht e sigurt … flasim për të paktën një vit,” tha ai. /Opinion.al