Monedha e përbashkët ka shënuar një tjetër rritje të fortë gjatë ditës së sotme, duke u këmbyer me 128.17 lekë, me një rritje ditore prej 2.77 lekësh. Ky është niveli më i lartë në dy vjet, që prej prillit të 2018-s.
Që nga 12 marsi, euro është forcuar me 5.36 lekë.
Në rritje ishin dhe valutat e tjera, dollari u këmbye me 116.56 lekë, me rritje ditore 1.79 lekë. Paundi u këmbye me 142.33 lekë me rritja ditore 5.37 lekë.
Aktorët e tregut pohojnë se janë tre arsyet kryesore e forcimit të shpejtë të lekut.
-Së pari është bllokimi i fluturimeve me Vjenën. Tendenca rritëse filloi që kur Austrian Airlines pezulloi fluturimet me Tiranën, në kuadër të masave kundër përhapjes së Covid-19. Përmes kësaj linje bëhej dhe transportimi i valutës dhe mbyllja e kësaj rruge ka kufizuar hyrjen e valutës në Shqipëri për bankat. Ekspertët pohojnë që vetëm një ndërhyrje e Bankës së Shqipërisë për të bërë të mundur transportin e valutës me charter mund ta rrisë ofertën në euro dhe të ndalte zhvlerësimin e monedhës vendase.
-Së dyti, aktorët e tregut valutor pohojnë se për momentin ka kërkesë vetëm nga tregtuesit e produkteve ushqimore, lidhur edhe me faktin që në bazë të një vendimi të fundit të qeverisë, importuesit me shumicë të produkteve ushqimore dhe barnave duhet të krijojnë rezerva për tre muaj, shkruan Monitor. Ndërkohë që tregu normal është i zhbalancuar, pasi volumet e tregtimit kanë rënë ndjeshëm. Ata thonë se në këto kushte, kursi nuk është real.
-Së treti,ekspertët shtojnë se leku ka qenë prej disa vitesh i mbivlerësuar, përtej faktorëve normalë, pasi që prej mesit të vitit 2016, kur këmbehej në rreth 135 lekë, ai filloi një tendencë të pazakontë mbiçmimi, si rrjedhojë e flukseve të valutës që hynë nga tregtia informale, duke zbritur afër nivele minimale historike në mesin e vitit të kaluar (120.83 lekë).