Frika për bukë e mund frikën nga koronavirusi

Furrë e bukës

Frika se do të mbesin pa bukë e ka mundur frikën e banorëve të karantinës nga koronavirusi. Tri fshatrat e Podujevës: Dumnica e Epërme, Dumnica e Poshtme dhe Llausha janë futur në karantinë që kur një banor nga kjo pjesë ka dalë pozitiv me COVID-19 mbrëmjen e së dielës.

Përfaqësuesit e këtyre tri fshatrave thonë se nuk frikësohen se ky virus mund të përhapet edhe nëpër familjet e tyre, por e kanë frikën se do të mbesin pa ushqim, nëse vazhdojnë të mbesin të izoluar edhe për një kohë. Ruzhdi Fazliu, përfaqësues i Dumnicës së Epërme, ku tashmë janë dy persona të së njëjtës familje me COVID-19, thotë se nëse zgjat izolimi për ta, ka rrezik të mbesin pa ushqim, shkruan sot “Koha Ditore”.

Reklama e sponzorizuar

“Jo frikë nuk kanë prej virusi, po kanë frikë mos po mbesin pa ushqim. Unë jam në kontakt edhe me ata të infektuarit dhe gjendja e tyre është e mirë. Po me zgjat kjo gjendje sigurisht që mundemi me mbet pa ushqim. Një pjesë janë me ndihma sociale, e po ashtu një pjesë bëjnë punë krahu. Në Dumnicë të Epërme janë 69 familje me mbi 500 banorë”, ka thënë Ruzhdi Fazliu.

Të njëjtin hall e ka edhe Rexhep Dauti, përfaqësues i fshatit Llaushë që është po ashtu në karantinë. Halli kryesor i rreth 900 banorëve të këtij fshati, sipas tij, është mielli.