Autoritetet gjermane kanë premtuar ndihma të mëdha financiare për kompanitë e vendit gjatë kohës së përhapjes së koronavirusit, përfshirë ofrimin e kredive të pakufizuara.
Ministri gjerman i financave, Olaf Scholz, dhe ministri i ekonomisë dhe energjisë, Peter Altmaier, i siguruan bizneset gjatë një konference për gazetarë se do ta kenë përkrahjen nga shteti.
“Nuk ka kufizim për kredinë e ofruar nga KfW-ja (Banka për Zhvillim), ky është mesazhi më i rëndësishëm”, tha ministri Scholz.
Ndërkohë ministri Altmaier tha se 550 miliardë euro do të ofrohen si hua vetëm për kompanitë e reja, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.
“Ne kemi premtuar se nuk do të dështojmë për shkak të mungesës së parave apo mungesës së vullnetit politik. Kjo nënkupton se asnjë kompani e shëndoshë dhe asnjë vend i punës nuk duhet të jetë në vështirësi”, shtoi ai.
Dy ministrat lanë të kuptohet se shteti ka fonde të mjaftueshme në llogarinë e thesarit për një betejë të gjatë me efektet ekonomike të virusit të ri.
“Nëse zgjat më gjatë, ne mund të vazhdojmë më shumë. Ju mund të keni kurajë, rreziku do të bartet nga ne”, tha ministri Scholz.
Pakoja financiare që u ofrua nga qeveria është më e madhe se ndihma që ishte ofruar nga shteti gjatë krizës financiare të vitit 2008, kur ishin vënë në dispozicion 500 miliardë euro.