Haxhiu ndalon shfrytëzimin e veturave zyrtare të MD-së jashtë orarit të punës


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook, se sot ka anuluar 24 vendime, kryesisht të Qeverisë së shkuar, përmes të cilave u lejoheshin zyrtarëve të ministrisë të shfrytëzonin makinat zyrtare 24 orë në ditë.

“Nën përcaktimin tonë si Qeveri që të ndalim ‘gjakderdhjet financiare’ dhe reduktimin e shpenzimeve qeveritare, kam marr vendim për të shfuqizuar 24 vendime, lidhur me përdorimin e automjeteve zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë jashtë orarit zyrtar të punës. Nga sot veturat e Ministrisë së Drejtësisë, do të përdoren vetëm sipas procedurave të Udhëzimit Administrativ 03/2008. Si Ministre e Drejtësisë do të kujdesem deri në detaje që pasuria dhe paraja jonë publike të mos keqpërdoren ashtu siç ka ngjarë me pushtetet e kaluara”, ka shkruar Haxhiu në Facebook, duke publikuar edhe vendimin.

Ajo ditë më parë është kritikuar nga opozita dhe shoqëria civile për keqpërdorim të veturës zyrtare. Ajo u fotografua teksa e mori djalin nga kopshti me veturë zyrtare.

Reklama e sponzorizuar

Për këtë u arsyetua se është nënë dhe se duhet të kuptohet dhe se nuk kishte zgjidhje tjetër.