Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi ka marrë sot vendim për lirim nga pagesa e TVSH’së për të gjitha importet e grurit dhe miellit për prodhimin e bukës dhe produkteve të bukës.
Kjo u bë e ditur përmes një komunikate të nisur për media.
“Në mbështetje të Rregullores Nr. 05/2020 për Fushat e Përgjegjësitë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, me qëllim të zbatimit të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për marrjen e masave shtesë pas konfirmimit të rasteve pozitive me Corona virus COVID19, ministri i Financave dhe Transfereve Besnik Bislimi mori vendim për lirimin e përkohshëm nga pagesa e TVSH-së të gjitha importet e grurit dhe miellit për prodhimin e bukës dhe produkteve të bukës. Duke u bazuar në këtë vendim me automatizëm dhe pa pasur nevojë për të parashtruar kërkesë të veçantë lirohen përkohësisht nga taksa doganore dhe TVSH-ja të gjitha subjektet biznesore prodhuese apo kontraktuesit e tyre, të cilët merren me importimin e lëndës së parë. Për zbatimin e këtij vendimi obligohet Administrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana e Kosovë. Ky vendim hyn në fuqi nga dita e sotme”, shkruhet në njoftim.