Qyteti Wuhan, vatra e infektimit me koronavirus, ka shënuar ditën më të mirë qëkur shpërtheu Covid-19 para disa muajsh.
Në këtë qytet, në 24 orët e fundit janë shënuar vetëm 5 raste të reja, ndërkohë në pjesët tjera të provincës Hubei, nuk është konfirmuar asnjë rast. Në pjesët tjera të Kinës janë regjistruar edhe tri raste, pra gjithsej tetë raste në gjithë vendin, shtatë më shumë se një ditë më parë, bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare të premten.
Ulja e numrit ka bërë që të mërkurën, të mbyllet spitali i fundit i ndërtuar nga Kina për këtë qëllim. Ishte njëlloj feste për stafin e spitalit, pamjet e të cilëve duke festuar bënë xhiron nëpër rrjetet sociale.
E derisa Kina po e merr veten, shtetet evropiane po vazhdojnë të shtrëngojnë masat si mbrojtje ndaj Covid-19. Mbyllje të shkollave, restoranteve, lokaleve të natës, qendrave tregtare, stadiumeve e të tjera ku mund të mblidhen shumë njerëz, janë bërë të zakonshme, sidomos në Itali, që tash është tërësisht një “zonë e kuqe” dhe e izoluar nga bota.
Qeveria italiane do të shpenzojë para të mëdha në pajisje të stafit mjekësor, ndërkohë ka thënë se ka mungesë të 5.000 mjekëve e infermiereve. Në këtë vend, që është i dyti më i prekuri pas Kinës, deri më tash janë infektuar mbi 15.000 persona, ndërsa kanë humbur jetën si pasojë e tij mbi 1.000. Në 24 orët e fundit, vdiqën 189 persona në Itali.