Pas disa ditësh me asnjë të infektuar nga brenda, sipas të dhënave zyrtare në Kinë, aty ka nisur të rritet ndjenja se emergjenca e koronavirusit po vihet nën kontroll.
Njerëzit në Pekin më në fund kanë nisur të dalin nëpër qytet, pas një kohe të gjatë izolimi për shkak të virusit.
“Më herët, kjo ishte serioze. Ishim të frikësuar të dilnim jashtë. Tani ka më pak raste dhe ato janë që vijnë nga jashtë vendit”, ka thënë një qytetare për BBC-në.
Një tjetër thotë se kanë kaluar dy muaj që kur kishte dalë për herën e fundit që të ecte në park.
Prapëseprapë, për të hyrë në parqet në Kinë, njerëzit duhet të bartin maskë.
Kina është vendi ku shpërtheu fillimisht koronavirusi, në fund të dhjetorit të 2019-s. Deri tash, në këtë vend janë infektuar më shumë se 80 mijë qytetarë, ndërsa më shumë se 3200 kanë vdekur. Qendra e koronavirusit aktualisht po konsiderohet Evropa.