Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, në Komisionin për Punë të Jashtme ka raportuar edhe lidhur me çnjohjet e Kosovës.
Konjufca, vetëm ka thënë se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, është ngutur kur ka kumtuar lajmin për njohje nga Xhamajka e Sierra Leone.
“Sa i përket rastit të Xhamajkës për herë të parë në historinë e Republikës së Kosovës i është komunikuar presidentit një lajm i cili është marrë si i vërtetë por i cili nuk është kontrolluar e i cili na ka shkaktuar probleme. Ambasadorja e ka kontaktuar presidentin dhe ia ka shprehur në formë të urimit njohjen nga Xhamajka. Presidenti ka shkruar në rrjetet sociale një urim duke i falënderuar autoritetet e Xhamajkës. Ne duke u nisur nga fakti që ambasadorja e ka një relacion me presidentin në politikë të jashtme të gjithë e kanë marrë si të mirëqenë. Presidenti mendoj që është ngut me atë paraqitje. Në hulumtimin më të thellë të kësaj problematike kur ka dalë e kundërta ne kemi marrëveshje që e tëra ka qenë në nivel të zotimit mes ambasadorëve. Kjo është ajo që kam për juve nëse keni diçka tjetër unë mendoj që duhemi me bo pa media sepse relacioni është i ndjeshëm dhe vetëm deri këtu mundem me nda me juve në publik”, tha Konjufca, raporton KOHA.
“Për Sierra Leone, sipas të gjitha gjasave nota verbale është e vërtetë nuk e kemi në dorë atë notë verbale por sipas burimeve sekondare ajo notë verbale është e vërtetë. Në notën verbale thuhet se Sierra Leone deklarohet se i është thënë prej Serbisë se pavarësia ka qenë e parakohshme e se janë duke diskutuar për statusin. Serbia e ka gënjyer Sierra Leones se janë duke diskutuar për statusin. Ja thash dje ministrit Daçiq se kjo është një mashtrim”, u shpreh tutje Konjufca.
Konjufca, në fund tha se “Serbia është duke e keqpërdor dialogun dhe i mashtron ato se dialogu është për statusin dhe pastaj kemi nota verbale si kjo për statusin”.