Instituti i Ekspertëve Kontabël të Miratuar (IEAKA) ka publikuar në faqen e tij një thirrje të Federatës Europiane të Kontabilistëve dhe Audituesve për SME-të (EFAA), që përfaqëson mbi 350,000 profesionistë kontabël në të gjithë Europën, e cila bën thirrje për të ndihmuar bizneset e prekura nga situata e shkaktuar nga koronavirusi.
Në njoftim thuhet:
Pas shpërthimit të koronavirusit në Europë dhe masave të marra për të parandaluar përhapjen e tij, EFAA po merr informacione nga anëtarët e saj, që tregojnë se kjo krizë do të ketë një ndikim shumë të madh në disa sektorë të ekonomisë, veçanërisht për SME-të. Sipas saj, këto masa duhet të vihen në zbatim sa më shpejt që të jetë e mundur.
Entitetet e vogla do të ndikohen shumë ekonomikisht për shkak të kufizimeve të vendosuara për të mbrojtur shëndetin e njerëzve nga COVID-19, megjithëse pasojat ekonomike të këtyre kufizimeve pritet që të jenë më të mëdha për entitetet shumë të vogla, profesionistët kontabël të vetëpunësuar dhe për klientët e tyre të SME-ve.
EFAA bën thirrje për veprim të menjëhershëm nga ana e Institucioneve të BE-së për të mbështetur ekonomitë kombëtare në përgjithësi, si edhe në marrjen e masave specifike për të lehtësuar pasojat që do të lerë një krizë e tillë ekonomike. Një shembull i tillë është shtyrja e afatit për pagesën e taksave, kontributeve për sigurimet shoqërore dhe kësteve të kredisë. Masat stimuluese duhet të propozohen për të gjitha vendet anëtare të BE-së. Komisioni Europian po bën përpjekje për të koordinuar veprimet midis vendeve anëtare, duke zbutur kështu edhe ndikimin e saj në ekonomi.
EFAA mbështet dhe është plotësisht dakord me kërkesat e publikuara nga Unioni i SME-ve. SME-të e Bashkuara kërkojnë reagim të shpejtë nga Europa për të shmangur këtë krizë. Së pari, Unioni i SME-ve u kërkon qeverive vendase të përdorin instrumenta financiarë për të siguruar likuiditetin e nevojshëm dhe kapital qarkullues, duke përdorur ndihmat qeveritare. Disa mundësi mund të jenë derregullimi, skemat e shpëtimit dhe ristrukturimit. Së dyti, Unioni i SME-ve mbështet Komisionin Evropian në krijimin e mekanizmave për të ndihmuar SME-të në vështirësi. Së treti, fondet e mbetura në nivel Europian duhet të orientohen drejt sigurimit të kapitalit qarkullues për SME-të.
Rreth EFAA: Federata Europiane e Kontabilistëve dhe Audituesve për SME-të përfaqëson mbi 350,000 profesionistë kontabël në të gjithë Europën. Anëtarët e saj janë përdorues të praktikave kontabël për entitetet e vogla dhe të mesme dhe ofrojnë shërbime kontabël për miliona SME. IEKA është anëtare me të drejta të plota në Federatën Evropiane të Kontabilistëve dhe Audituesve të Entiteteve të Vogla dhe të Mesme (EFAA).