Koronavirusi- MPJ-ja ndërmerr masa

Edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës (MPJD), ka njoftuar se ka ndërmarrë masat e para mbrojtëse në luftën kundër virusit Corona.

Sipas kësaj ministrie, duke u bazuar në Vendimin e Qeverisë (Nr.01/07) për marrjen e masave mbrojtëse ndaj pandemisë COVID-19 (Coronavirus), ajo ka pezulluar përkohësisht apostilimin dhe legalizimin e dokumenteve, me përjashtim të rasteve emergjente.

Si raste emergjente, rreth këtyre masave janë vlerësuar vetëm ato raste që kanë të bëjnë me shërim jashtë vendit (dëshmi mjeksore), tërminet e caktuara në ambasadat e huaja në Republikën e Kosovës (dëshmi termini) dhe udhëtimet jashtë vendit, drejt shteteve me të cilat nuk janë pezulluar hyrje-daljet (dëshmi, bileta e aeroplanit dhe të tjera).

Reklama e sponzorizuar

Ky vendim i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të fillojë të zbatohet nga data 16 mars 2020 deri më datën 27 mars 2020.

“Prandaj, luten të gjithë qytetarët që të kenë mirëkuptim deri në marrjen e një vendimi tjetër”, përfundon komunikata e Ministrisë së Jashtme. /Buletini Ekonomik/