Koronavirusi: Qeveria merr vendim tjetër, ndalon vizitat në të gjitha institucionet korrektuese dhe të paraburgimit

Qeveria e Kosovës ka marrë edhe një vendim për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit në Kosovë, pas vendimeve të mbrëmshme.

Me këtë vendim, do të ndalohen vizitat nëpër të gjitha institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit.

Kështu ka njoftuar Shërbimi Korrektues i Kosovës, duke bërë të ditur se të burgosurve do tu mundësohen telefonata më të shpeshta me të burgosurit dhe komunikim me Skype, bëhen kontrolle të vazhdueshme, ndalohen tranferet, etj.

Reklama e sponzorizuar

Njoftimi i plotë:

Shërbimi Korrektues i Kosovës duke kërkuar mirëkuptim nga të gjithë, njofton opinionin publik, familjarët e të burgosurve dhe të burgosurit, se për shkak të masave parandaluese rreth Koronavirusit (COVID – 19), me vendim të Qeverisë së Kosovës, nga sot, me datë 12 mars 2020, deri me datë 27 mars 2020, ndërpriten të gjitha vizitat familjare nëpër të gjitha institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit.

Gjatë kësaj periudhe kohore SHKK do të ndërmarr këto masa:

Të burgosurve do t`iu mundësohen telefonata me të shpeshta me familjarë dhe komunikim virtual përmes Skype, i cili tashme është i instaluar nëpër disa qendra korrektuese dhe shumë shpejt nëpër të gjitha qendrat;

Ndalohen transferet nëpër burgje për të burgosurit;

Reduktim të transportit në gjykata dhe prokurori, (vetëm në raste shumë emergjente);

Kontroll të vazhdueshme të stafit nga Mjeket të cilët veç janë në qendra korrektuese dhe ato të paraburgimit;

Kontroll të vazhdueshme të të burgosurve, të cilët kanë ndonjë simptomë infektive;

Furnizim brenda burgjeve për të burgosurit me material higjenik, siç janë: Shampon, sapun dhe dezinfektues për duar;

Furnizim me ujë të nxehtë 24 orë brenda burgjeve.

Shërbimi Korrektues i Kosovës do të vazhdojë bashkërendimin institucional me institucionet relevante të Republikës së Kosovës dhe do të mbajë të informuar opinionin e gjerë rreth hapave në vazhdim.