Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në Facebook, bërë thirrje për qytetarët që të rrinë të qetë, të kujdesen për veten dhe familjet e tyre, të kufizojnë lëvizjet, të mos dalin nga shtëpitë pa nevojë dhe të qëndrojnë sa më shumë brenda.
Kjo thirrje e Thaçit ka të bëjë me gjendjen rreth virusit COVID-19, përhapjen e tij në Kosovë, rrezikun që paraqet dhe reagimin e shtetit dhe shoqërisë ndaj gjendjes.
“Sot na nevojitet kujdes, vigjilencë, solidaritet, durim, urti, besim. Këto vlera e parime i kemi kalitur në sfidat që i kemi kaluar. Prandaj, ju bëj thirrje që të rrini të qetë, të kujdeseni për veten dhe familjet tuaja, të kufizoni lëvizjet, të mos dilni nga shtëpitë pa nevojë dhe të qëndroni sa më shumë brenda”, tha Thaçi.
Ai siguroi që qytetarët “institucionet e shtetit janë duke e përcjellë çdo zhvillim dhe janë të gatshme të veprojnë në çdo rrethanë për t’iu dalë juve në ndihmë”.
“Nuk ka nevojë për panik dhe frikë. Kemi përvojë me situata të rënda dhe institucionet tona janë të përgatitura të përballen me çdo situatë. Të bashkuar do ta përballojmë me sukses edhe këtë sfidë dhe si gjithmonë do të dalim edhe më të fortë dhe do të vazhdojmë të punojmë së bashku, që ta bëjmë Kosovën shtëpi edhe më të dashur për ju të gjithë”, the kreu i shtetit në postimin e tij në Facebook drejtuar qytetarëve.