Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të mbulojë konsumin e energjisë për pjesën veriore të Kosovës nga momenti kur ky institucion do të operojë si zonë e pavarur. Kjo, meqë, sipas KOSTT-it, çdo devijim i zonës që mbulon sistemi elektroenergjetik i Kosovës konsiderohet devijim i Kosovës dhe i KOSTT-it.
KOSTT-i pritet që të operojë në zonë të pavarur në prill të këtij viti. Në rast të mosmbulimit të kësaj kostoje, sipas KOSTT-it, do të ketë penalizime nga Operatori Ndërkombëtar i Sistemit të Transmisionit, shkruan sot “Koha Ditore”.
Pas vendimit të Gjykatës Themelore për të pezulluar vendimin që kostoja e furnizimit në veri t’iu faturohet qytetarëve, KOSTT-i nga 2 dhjetori 2017 nuk ka bërë blerjen e energjisë për mbulimin e humbjeve për furnizimin e veriut të Kosovës. Për mbulimin e këtij konsumi, energjia elektrike vazhdon që të tërhiqet nga Sistemi Elektroenergjetik i Evropës Kontinentale.
KOSTT-i ka bërë të ditur për gazetën se nga sistemi interkonektiv evropian janë tërhequr 577.649 megawat për orë energji elektrike, apo afro 29 milionë euro. Ky borxh është bërë për periudhën 2 dhjetor 2017 deri më 1 mars 2020.