Komisioni Qendror Zgjedhor, ka njoftuar se zgjedhjet në Podujevë do të mbahen më 15 mars, ashtu siç ishte planifikuar, porse me masa të shtuara mbrojtëse rreth koronavirusit.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezit, pas vendimit të djeshëm të Qeverisë së Kosovës, sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka komunikuar me institucionet përgjegjëse lidhur me masat që duhet të ndërmerren nga KQZ-ja si institucion që organizon zgjedhjet.
“Ne kemi kërkuar një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës që të na këshillojnë nëse KQZ-ja duhet të ndërmarrë ndonjë masë urgjente mbrojtëse specifike shëndetësore në ditën e zgjedhjeve më 15 mars 2020. Gjatë ditës ne kemi pranuar disa rekomandime nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, të cilat duhet të ndërmerren gjatë ditës së votimit në qendrat e votimit dhe në vendvotime. Pra, këto rekomandime/udhëzime, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i përcjellë te menaxherët e qendrave të votimit, anëtarët e këshillave të vendvotimit dhe te stafi tjetër që do të angazhohet në këto zgjedhje”, tha Elezi për KOHËN.
Sipas tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon subjektet politike që të sillen konform masave, kufizimeve, të ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës, sa i përket çështjes së tubimeve publike.
“Masat e rekomanduara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës kanë të bëjmë me higjienën dhe reduktimin e kontakteve”, tha Elezi.