Kryetari i Klinës: S’ka raste të reja me virus, ka panik

Qeveria e Kosovës mbrëmë ka marrë vendim që t’i ndalojë hyrje-daljet në Klinë dhe Viti, meqenëse në këto dy komuna kanë banuar dy personat e infektuar me koronavirus. Sikurse në Viti, edhe në Klinë po mungojnë pajisjet mbrojtëse, raporton Express.

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj i ka thënë Gazetës Express se nuk ka pasur ndonjë rast tjetër të dyshuar me koronavirus, por se te qytetarët po ka panik.

“Nuk ka pas ndonjë rast të dyshuar për koronavirus. Qyteteti është i izoluar, e edhe qytetarët po i respektojnë udhëzimet e Qeverisë. Por, panik ka shumë të qytetarët. Nuk kemi as maska, as dorëza e as pajisje të tjera”, ka thënë Elezaj.

Reklama e sponzorizuar

Sikurse në Viti, edhe në Klinë po mungojnë pajisjet mbrojtëse.

Elezaj thotë se ka kërkuar nga Ministri i Shëndetësisë, që t’i furnizojnë me maska, dorëza e dezinfektues dhe se iështë premtuar që do t’i sjellin sot.

“Kam bisedu direkt me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitinë, edhe ka premtu që ka me na furnizu me masa mbrojtëse. Po presim që sot kanë me na i sjellë” ,ka thënë Elezaj për Express.

Edhe Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka kërkuar që t’i furnizojnë me dorëza, maska e pajisje të tjera, meqenëse deri tani nuk janë pajisur.

“Ministria s’na ka kontaktu fare. Ne kemi kërku veç me u izolu fshati Stubëll, ata kanë marrë vendim krejt komuna. Ne i kemi 43 fshatra, problem. As s’na kanë pajisë me dorëza, as maska. As komandanti i policisë s’ka maska, e që është tërë kohën në terren”, ka thënë Haliti.

Mbrëmë, Qeveria ka marrë vendim që t’i ndalojë hyrje-daljet në komunat Klinë dhe Viti, ku kanë banuar dy personat e infektuar.

Ndryshe, dje rreth orës 17 e 30 janë konfirmuar dy rastet e para me koronavirus në Kosovë, raporton Express.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë të jashtëzakonshme.

Sipas ministrit Arben Vitia, bëhet fjalë për një vajzë të moshës 20-vjeçare, shtetase e Italisë, dhe një burrë të moshës 77-vjeçare nga Komuna e Vitisë.

Në konferencën ku u konfirmuan këto dy raste, kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos i shtrëngojnë duart me njëri-tjetrin, të qëndrojnë mbi 1 metër larg kur takohen dhe që t’i pastrojnë duart me ujë të ngrohtë mbi 30 sekonda.

‘Parandalimi është gjithcka. Le ta ruajmë veten dhe njëri-tjetrin që dy rastet e konfirmuara të mos shtohen. Të bëjmë kujdes maksimal që të mos iu bashkangjitemi vendeve të tjera që po raportojnë për mortalitet”, ka thënë Kurti në konferencë.