Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se si Qeveri i kanë të kthyer veshët kah bizneset.
Duke folur në punëtorinë e organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës, ai edhe një herë ka thënë se Kosova do ta vë masën e reciprocitetit ndaj Serbisë, duke përmendur edhe barrierat tregtare me të cilat përballen biznesmenët kosovarë në Shqipëri.
“Kosova ka bilanc negativ tregtar me të gjitha vendet e CEFTA-s. Reciprocitet do të ndodhë – jo sepse kemi vendosur të sillemi ndryshe , por se kemi vendosur të sillemi si shtet i pavarur, siç jemi shpallur – siç jemi”.
“Reciprociteti është vlerë barazie para se të jetë masë kundërvënie. Duhet ta ndihmojmë biznesin vendas që të rritet punësimi, prodhimi, zhvillimi dhe paga mesatare në sektorin privat”.
“Përgjysmimi i pagave të kabinetit, krijimi i grupit të vettingut, ndihmat për Shqipëri dhe ndihmat pas erës në Dukagjin, shkarkimi i 14 konsujve, anulimi i lagjes pranë Badovcit, anulimi i tenderi për Bechtel kanë dominuar muajin që lamë pas si dhe fjalët reciprocitet dhe tarifë”.
“Qytetarët e kanë kuptuar se çfarë është reciprocitet përveç të disave në parlament. Sot bëhen një muaj prej kur jam zgjedhur kryeministër dhe besoj se edhe kritikët më të mëdhenj e kanë parë se ne kemi qenë të zënë me punë në Qeveri pa asnjë festë që arritëm të zgjedhemi. Kanë festuar qytetarët, por jo edhe qeveritarët e rinj”.
Kurti ka thënë se nuk është rastësi pse zgjodhi të flasë për barrierat tregtare dhe ekonominë, duke shtuar se ato do të jenë temat e qeverisjes së tij.
“Temat tjera do ta marrin vëmendjen e duhur, por asnjë herë të gjithë vëmendjen. Kosova është vend sovran dhe i pavarur por sovraniteti dhe pavarësia kanë kuptim kur kemi një popullsi që nuk i gëzon ato. Me Shqipërinë do të donim të kishim bashkërendim që dallimet tona në ekonomi dhe politikë të jenë më të vogla sesa dialektet e gjuhës tonë”.
“Barrierat me Shqipërinë tejkalojnë dialektet tona në dialekt dhe dëmtojnë prodhuesit dhe eksportuesit. Për të kaluar në tokën shqiptare eksportuesit duhet të paguajnë taksën e skanimit prej 22 edhe kur nuk funksionin skaneri. Nuk janë në pyetje çështjet funksionale por llogaritë për gjobitje të dikujt. Akciza për prodhuesit e verës janë disa prej të cilave ne do t’i adresojmë. Ka anomali të shumta. Qytetarët e Shqipërisë duhet të kenë leje qëndrimi që të marrin punë. Me Maqedoninë e Veriut kemi pengesa që duhet hequr”.