Më 23 janar është paraparë të mbahet mbledhja e radhës e Këshillit të BE-së – përgjegjës për heqjen e vizave për Kosovën, por vlerësohet se gjasat janë minimale që në këtë takim t’i jepet drita e gjelbër lëvizjes së lirë të kosovarëve. Ndonëse shtetet e BE-së vazhdojnë të mos jenë të unifikuara për këtë proces, nga Ministria e Integrimit e Kosovës thonë se viti 2020 është shpresëdhënës për liberalizimin e vizave.
Në anën tjetër njohësi i çështjeve të integrimeve, Besnik Vasolli, për “Zërin” ka theksuar se pavarësisht deklaratave të zyrtarëve të BE-së se Kosova ka plotësuar kriteret për heqjen e vizave, përsëri disa prej shteteve të BE-së e shohin si të mangët luftën që Kosova ka bërë në fushën e sundimit të ligjit.
“Ky është qëndrim zyrtar i Komisionit Evropian prejse e kanë publikuar raportin monitorues për zbatimin e kritereve për liberalizim të vizave. Pra, znj. Apostolova e ka mbrojtur vlerësimin e Komisionit Evropian. Problemi qëndron te shtetet anëtare të BE-së, të cilat kanë shqetësime për migrim nga Kosova, por edhe e vlerësojnë si shumë të mangët luftën e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, respektivisht në luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit”, ka thënë Vasolli.
E për t’u bindur shtetet skeptike të BE-së, sipas Vasollit, Kosova duhet të prezantojë rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Tek pas kësaj duhet të vazhdojë lobimi i institucioneve kosovare në Francë, në Holandë e në Gjermani. “Pra për t’i bindur shtetet skeptike Prokuroria dhe gjyqësori i Kosovës duhet të prezantojnë sa më mirë rezultatet e tyre, të zgjidhin raste sa më shpejt që munden dhe kështu të dëshmojnë seriozitetin e tyre. E serioziteti matet me shifra dhe me vlera reale, ku prezantohet suksesi i arritur e ne kemi shumë pak sukses për të raportuar. E kur të kemi rezultate reprezentative, atëherë do të na duhet të ndërmarrim një seri lobimi në vendet vendimmarrëse, si p.sh. në Francë, në Holandë, në Danimarkë, në Gjermani etj.”, është shprehur më tutje Vasolli.