Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka njoftuar se sot ka pranuar kërkesën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për “vlerësimin e çështjes së përputhshmërisë së Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 01/15, të datës 23.03.2020, me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, lidhur me kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore që mbrohen me Kushtetutë”.
Po ashtu, Gjykata ka njoftuar se kërkesë e presidentit është që ajo të “vendosë masë të përkohshme ndaj çështjes së ngritur, deri në vendimin përfundimtar”, transmeton KOHA.
“Me qëllim të shqyrtimit urgjent dhe gjithëpërfshirës të kërkesës, Gjykata ka kërkuar nga të gjitha palët e interesit në këtë rast që: a.) Komentet përkitazi me kërkesën për caktim të masës së përkohshme t’i dorëzojnë në emailin zyrtar të Gjykatës Kushtetuese sot, më 24 mars 2020, deri në orën 22:00; b.) Komentet përkitazi me kërkesën në përgjithësi, t’i dorëzojnë në Gjykatë në afat prej tri (3) ditësh nga momenti i pranimit të njoftimit për regjistrimin e kërkesës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Qeveria, mbrëmë vendosi të kufizojë lëvizjen e qytetarëve si masë mbrojtëse ndaj përhapjes së koronavirusit. Menjëherë pas kësaj, presidenti Thaçi thirri konferencë dhe vendimin e quajti anti-kushtetues dhe njoftoi se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.