Bashkim Latifi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Aeroportit, ka thënë se në aeroport ka filluar një hakmarrje e cila çdo ditë e më shumë po degradon, dhe rasti më eklatant është largim i 28 punëtorëve.
Ai ka thënë se kjo hakmarrje ka ardhur si pasojë e grevave që kanë mbajtur verën e vitit 2019, duke shtuar se aty ka pasur kërkesa shumë ligjore.
Ai thotë se me menxhmentin kishin arritur marrëveshje por ata nuk e realizuan.
Latifi në Interaktiv të KTV-së ka thënë se në largimin e fundit nuk ka pasur kurrfarë paralajmërimi.
Ai tutje ka shtuar se rrezikohet siguria në Aeroportin Ndërkombëtar, për shkak se sipas tij, punëtorët janë duke u ndier në presion për shkëputje të kontratës.
“Trajnime duhet të ketë por ata fillimisht i kanë trajnuar punëtorët e rinjë dhe pastaj i kanë larguar punëtorët grevistë. Greva e ka një rrënjë më larg. Me ardhjen e Limakut 3 vjet më herët punëtorët kanë pasur një përvojë më të mirë. Në vitin 2014 kaloi në katrahurë, kryetari i sindikatës u largua me 70 e ca punëtorë dhe aty filloi gjithçka. Tash ka një anëtarësi të sindikatës prej më shumë se 500 punëtorë. Përkundër presioneve nga menaxhmenti, punëtorët na kanë mbështetë sepse kërkesat kanë qenë legjitime”, ka thënë ai.
Ai thotë se kanë arritur një marrëveshje e cila nuk është realizuar në tërësi.
Latifi thotë se kërkesat e punëtorëve kanë qenë për pagesën e orëve të vikendeve, shujtës e rrezikshmërisë në vendin e punës.
Ai thotë se kanë arritur që me marrëveshje këto kërkesa nëse shihen si të arsyeshme të procedohen në Gjykatë.
“Pas protestave kanë filluar t’i shikojnë punëtorët grevistë me llupë. Kanë filluar t’i nxjerrin në komisione disiplinore. Të gjitha procedurat janë shkelur dhe vetëm grevistët janë dënuar. Nuk e kemi asnjë rast që nuk ka qenë grevistë, në përjashtim të një rasti që ka qenë shkelje e rëndë, dhe i njëjti është avancuar vetëm pse nuk ka qenë pjesë e grevës. Në vendim nuk shkruhet asnjë arsyetim madje as vendim për shkëputje të marrëdhënies së punës”, ka thënë ai.
Ai thotë se edhe kontratat janë të jashtëligjshme sepse më e gjata është kontrata 1 vjeçare.
Latifi thotë se në fillim të shtatorit i ka larguar tre punëtorë pa bazë ligjore duke shtuar se kanë filluar t’i marrin 50 punëtorë të tjerë anti-grevistë.
“Momentalisht jemi në një proces të inspektoriatit të punës dhe po presim vendimin e tyre. Derisa kryetari i mëparshëm është larguar mund të largohem edhe unë, por kjo nuk paraqet frikë për mua. Inspektoriati është duke u marrë seriozisht, për çdo ditë janë duke u marrë. Këto të fundit kanë qenë të sektorëve të ndryshëm, por në dhjetor janë larguar pastruesit të cilët kanë pasur kontratë nga 3 muaj”, ka thënë ai.