Pa epilog ka përfunduar seanca maratonike për taksën ndaj mallrave që për origjinë kanë Serbinë. Dallime për masën e cila bllokoi dialogun ka pasur brenda partnerëve të koalicionit, ndërmjet pushtetit dhe opozitës, por edhe dallime brenda kampit opozitar.
Me versione të ndryshme të gjitha partitë kanë folur për pezullimin/heqjen e kësaj mase. Kundër ka qenë vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila kishte iniciuar thirrjen e seancës, e me gjysmë zëri edhe Nisma socialdemokrate. Të dy këto subjekte bashkërisht i kanë 20 deputetë nga 120 sa janë gjithsejtë në institucionin ligjvënës. Më shumë se me taksën, deputetët e opozitës janë marrë me dallimet që kanë shfaqur VV-ja dhe LDK-ja për heqjen e tarifës. Madje, në fund të debatit prej LDK-së ka dalë oferta drejtuar PDK-së që ta harmonizojnë një qëndrim për heqjen e menjëhershme të taksës, ndryshe prej propozimit të kryeministrit Kurti.
Por, zyrtarë të PDK-së i kanë thënë Kujtim Shalës se nuk mund të fshihet pas tyre, dhe se vendimin ta marrin në qeveri, shkruan sot Koha Ditore.
Me gjysmë orë vonesë ka nisur seanca e jashtëzakonshme pas paralajmërimit të kryeministrit Albin Kurti për heqjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Shefi i deputetëve të AAK-së, Daut Haradinaj, teksa e ka arsyetuar inicimin e kësaj seance ka thënë se ish-kryeministri Haradinaj e mbajti taksën, përkundër presionit të madh. Të njëjtën ia ka kërkuar edhe Kurtit.
“E mbaj mend tani kryeministrin Kurti me politikën që proklamonte, rrotullimin e kamionëve, protesta të përgjakshme për pengimin e barkodit 860. Të gjitha këto veprime i dhanë mbështetje kryeministrit, por tash u dorëzua. Shkeli mbi parimet e veta, mbi prodhuesit vendorë dhe mbi çdo kod etik që e proklamonte kundër Serbisë. Kjo heqje e taksës nuk e ka garancën e SHBA-së se Serbia do ta njohë Kosovën”, ka thënë Haradinaj. Ai ka shtuar se Kosovës po i përgatitet një kompromis i dhimbshëm- “ndarje ose krijim i Zajednicës”. Sipas Haradinajt, vetëm mbajtja e taksës e shpëton Kosovën nga këto rreziqe.
Për taksën me radhë janë deklaruar shefat e grupeve parlamentare.
Për herë të parë, e ka shpalosur qëndrimin rreth taksës edhe Partia Demokratike, e cila nuk deklarohej që prej daljes në opozitë. Fillimisht, shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Bedri Hamza e më pas edhe kreu i saj, Kadri Veseli ka kërkuar që qeveria t’i kthehet propozimit të tyre të janarit të vitit 2019, sipas të cilit, taksa pezullohet për 120 ditë, për t’i dhënë mundësi arritjes së marrëveshjes.
Veseli e ka quajtur të rrezikshëm për shtetin e Kosovës kryeministrin Kurti, teksa i ka thënë se po sillet sikurse një nëpunës doganor. Sa i përket taksës, Veseli ka shtuar se nuk e ka ndërmend të ndryshojë, vetëm pse tani ka kaluar në opozitë.
“Kjo sallë është një trashëgimi, por ky sot më është dukur si një autonomist. Kryeministër, kanë ndryshuar gjërat, duhet me u sjellë si shtet i pavarur dhe sovran. Nuk mundesh me folë si një nëpunës doganor, o kryeministër”, ka thënë Veseli. Sipas tij, mbyllja e paqartësive me Serbinë është interes i Kosovës.
“Asnjëra parti nuk e përkrahu propozimin, harruan se shteti është përtej individëve. Vetëm kemi humbur për shkak të kalkulimeve për pushtet. Njësoj pati ndodhur edhe me demarkacionin. Sot po e kërkoni të njëjtën, çfarë ndryshoi? Në opozitë ia japin flakën vendit, në pushtet tani bëheni kinse të përgjegjshëm. Qeveria e kaluar ka rënë për shkak të taksës, edhe kjo mund të bjerë”, ka potencuar Veseli.
Ai e ka quajtur hipokrizi edhe sjelljen e LDK-së, teksa i ka kërkuar të tregojë se cili është qëndrimi i tyre për taksën. Shefi i deputetëve të LDK-s, Arben Gashi, i cili kishte përfunduar fjalën më herët, ia ka kujtuar Veselit se premtim i tyre gjatë fushatës ka qenë heqja e taksës dhe vendosja e reciprocitetit. Gashi e ka përsëritur se qëndrimi i tyre ndaj taksës është i njëjtë me atë të Shteteve të Bashkuara. Pra, heqje e taksës pa kushte. Emisari për dialog, Richard Grenell, është deklaruar kundër heqjes së pjesshme të taksës sipas propozimit të Kurtit javën e kaluar.
“Edhe pse tarifa kishte tjetër objektiv, ajo u bë pengesë e dialogut, ndërkohë që gjatë periudhës diplomacia kosovare ka dështuar ta arsyetojë mbajtjen e taksës. Me synim përmbylljen e dialogut, LDK-ja synon t’i koordinojë veprimet me SHBA-në. Me tarifën e hequr, nëse Serbia nuk ndryshon, të vendosen masat e reciprocitetit”, ka theksuar Gashi.
Ndërkaq, Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka hedhur poshtë pretendimet e AAK-së se taksa ndali projektin për ndarjen e Kosovës. Por, ka qenë Kurti i cili tha se dobia e vetme e taksës ka qenë shpëtimi i Kosovës në ndarje.
“Me gjithë qëllimin që kishte, tarifa nuk e ndali Serbinë as ndaj sulmeve kundër Kosovës. Serbia edhe sot po vazhdon fushatën për çnjohjen e Kosovës. Qytetarët e vendit presin nga ne të veprojmë, e këtë po e bën Qeveria Kurti, por edhe votuesit tuaj presin që të jeni më të arsyeshëm e më konstruktivë”, ka thënë Selimi.
Kurti: Taksa e bëri Kosovën subjekt të trysnisë ndërkombëtare
Pasi ka dëgjuar deklarimet e partive, ka folur kryeministri Kurti. Sipas tij, taksa e ka vendosur Kosovën në pozitë defansive, pasi është dashur ta arsyetojë para ndërkombëtarëve mbajtjen e saj. Ai ka thënë se ekzistojnë versione shumë më të mençura për t’i arritur qëllimet në raport me Serbinë.
“Aplikimi i tarifës u shfrytëzua si pretekst për ta ndalur dialogun dhe Kosova u bë subjekt i trysnisë ndërkombëtare. Deri më tani, dialogu me Serbinë në thelb ka qenë për statusin e Kosovës. Me vendosjen e reciprocitetit, bëhet zgjidhja e pengesave një nga një. Të jemi sovranë kur diskutojmë. Çdo heqje e barrierave do të thotë njohje e sovranitetit nga Serbia dhe kështu, deri në njohje efektive. Unë nuk jam për qasjen ‘ose krejt ose hiç’ edhe jam kundër qasjes ‘ose tash ose kurrë’. Kjo është dobësi. Unë jam për t’i problematizuar pengesat që i bën Serbia, jo të merremi me arsyetime për mbrojtjen e taksës”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka pasur një replikë me iniciuesin e seancës, Daut Haradinaj. Ky i fundit e ka pyetur se për çfarë masa reciproke është duke folur dhe si do t’ia bëjë me faktin se Serbia e ka Kosovën brenda kushtetutës së vet. Po ashtu, e ka pyetur si do ta shpëtojë Kosovën nga ndarja.
“Në kuptimin e sovranitetit politik e ekonomik, në vendin tonë efekti i taksës është minimal. Unë jam më i zëshëm kundër shkëmbimit të territoreve. Presidenti aktual nuk ka autorizim për të nënshkruar marrëveshjen. Nuk ka fuqi implementuese për çfarëdo marrëveshje. Kjo nuk do të ndodhë. E di që ka pasur një plan që të bëhet heqja e tarifës në Kosovë, e të nesërmen jo të fillojë dialogu, por të përfundojë”, ka thënë Kurti.
Ai, të enjten e kaluar, ka prezantuar planin 7-pikësh për largimin e taksës deri te vendosja e masave të reciprocitetit në një fazë të mëvonshme. Në pikën e parë thuhet se vendimi që do të merret javën e ardhshme për heqjen e tarifës për lëndën e parë është shenjë e vullnetit të mirë dhe gatishmërisë së palës kosovare për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë. Nëse pala serbe dëshmon përkushtim të mirëfilltë në ndalimin e fushatës jomiqësore dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave jotarifore me Kosovën, atëherë duke filluar nga data 1 prill 2020, Qeveria e Kosovës do të heqë tërësisht tarifën për importet nga Serbia dhe BeH për një periudhë prej 90 ditësh. Pika e tretë ka të bëjë me një kërkesë drejtuar Bashkimin Evropian. Kurti ka thënë se BE-ja duhet ta vlerësojë lart vendimin e palës kosovare për ta hequr tarifën prej 100%, duke ofruar liberalizimin e vizave para Samitit të Zagrebit më 7 maj 2020.
Në rast se Serbia nuk e përfill vullnetin e mirë të Qeverisë së Kosovës për eliminim të barrierave ekonomike, tregtare dhe politike në raportet e ndërsjella dhe për pasojë nuk e pushon fushatën jomiqësore në rrafshin ndërkombëtar dhe nuk fillon me heqjen e barrierave në marrëdhëniet me Kosovën, sipas pikës tre, qeveria e Kosovës me fillim nga data 1 prill do të fillojë implementimin gradual të principit të reciprocitetit, njëherë në fushën e tregtisë e më pastaj edhe në atë ekonomike e politike.
Në rast se pala serbe nuk reflekton as pas një periudhe prej 90-ditësh nga vendimi fillestar për heqjen e tarifës për importin e lëndës së parë, atëherë Qeveria e Kosovës me fillim nga data 15 qershor, do ta rikthejë tarifën për importet nga Serbia, teksa vazhdohet implementimi i filluar më 1 prill i reciprocitetit
Ndërkaq, reciprociteti i plotë tregtar, ekonomik dhe politik, sipas propozimit të Kurtit instalohet pas 15 qershorit.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e ka pandehur Kurtin për paaftësi që t’i vendosë këto masa. Ai e ka kritikuar kryeministrin se nuk do, po sillet si opozitar dhe se po u ikën përgjegjësive në dialog.
“Një kryeministër nuk guxon me u fshehë mbas drejtorëve. Janë shku me negociu marrëveshje e ju keni thënë që nuk e dimë për çka kanë shkuar. Dialogun e ke temën qendrore, mos i ik. Nis merru me temën kryesore, lëri këto aktrime, këto nuk të ndihmojnë”, ka thënë Limaj.
Debati ka rrëshqitur në akuza të ndërsjella mes deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe atyre të opozitës. Dimal Basha i VV-së është përplasur me Shkumbin Demaliajn e AAK-s. Basha e ka ftuar atë të mos i shtjerrin telat e zërit, pasi askush nuk u beson më, për shkak të keqpërdorimeve që kanë bërë me fondet e shtetit sa ishin në qeveri. Kurse Demaliaj nuk është marrë me Bashën, por e ka quajtur të dyshimtë Albin Kurtin. Si argument e ka përdorur faktin se Kurti jeton me qira në Kosovë.
“Kush është ky njeri që një këmbë e mban në Kosovë, e tjetrën diku tjetër?”, ka thënë Demaliaj.
Deputetët e AAK-së në pjesën e dytë të seancës kanë vendosur edhe pankarta tek ulëset e kabinetit me mbishkrimet- “Serbia nuk kalon” dhe “Ku është kërkim falja, ku janë të pagjeturit?”.
Pro heqjes së taksës është pozicionuar edhe deputetja e AKR-së, e cila është pjesë e koalicionit me Nismën Socialdemokrate, Mirlinda Sopi-Krasniqi.
Kryeministri Kurti nga deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, është kritikuar se doli kundër Amerikës për ta dëgjuar Joseph Borrellin dhe Miroslav Lajçakun, që siç ka thënë Haxhiu, nuk e njohin shtetin e Kosovës. Borrelli është shefi i diplomacisë evropiane, ndërsa sllovaku Lajçak është përmendur se mund të emërohet përfaqësues special për dialogun Kosovë-Serbi. Kurti e ka quajtur qasje të gabuar që Kosova të tregohet e mirë me Washingtonin dhe armiqësore me Brukselin. Sipas tij, me gjithë dallimet si BE-ja, ashtu edhe ShBA-të kanë rol thelbësor në raportet me Kosovën.
Shala e ftoi PDK-në për një rezolutë të përbashkët
Krejt në fund të debatit, më i drejtpërdrejtë ka qenë nënkryetari i Kuvendit nga radhët e LDK-së, Kujtim Shala, i cili ka thënë se nuk duhet të ketë heqje të pjesërishme ashtu siç propozoi kryeministri Kurti, por “taksa duhet të hiqet tërësisht dhe përnjëherë”. Krejt në fund të debatit, ai i ka ftuar të gjitha partitë tjera të dalin me një propozim-rezolutë për heqjen e taksës.
“Duhet të ketë një qëndrim prej të gjitha subjekteve, përjashto kolegët e AAK-së dhe të miratojmë një rezolutë që t’i sugjerojmë Qeverisë çfarë të bëjë. Nëse jo, jemi në rregull”, ka thënë Shala, i cili ka kërkuar ndihmën e PDK-së për ta paraqitur kërkesën që taksa të hiqet. Krasniqi i PDK-së i ka thënë le ta marrin qëndrimin që e kanë dhënë në janar 2019, por të mos kërkojnë dokument të përbashkët.
“S’keni nevojë me u fshehë pas neve këtu. Shkoni merrni vendim në Qeveri”, i ka thënë Krasniqi Shalës.
Ka ndërhyrë iniciuesi i seancës, Daut Haradinaj.
“S’po mund t’i kalojë nostalgjia LDK-së për PDK-në. Bile po më pëlqejnë disa veprime”, ka thënë Dauti. Ai ka shtuar se kanë planifikuar ta nxjerrin një dokument për votim, por për shkak të mungesës së mbështetjes, nuk do ta propozojnë atë. Kësisoj, debati përfundoi pa ndonjë dokument të miratuar.