Limaj: Kjo mazhorancë po tallet me Amerikën

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka shkruar se paralajmërimet për sanksione ndaj Kosovës nga Shtetet e Bashkuara vijnë si rezultat i papërgjegjësisë dhe jo seriozitetit të qeverisë, raporton Gazeta Express.

“Paralajmërimet për vendosjen e sanksioneve ndaj Kosovës nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe deklarata e senatorit Perdue për rishikimin e prezencës ushtarake amerikane në vendin tonë, vijnë si rezultat i papërgjegjësisë, dhe jo seriozitetit të kësaj mazhorance për të kuptuar që në çfarë situate është vendi ynë”, ka shkruar në Facebook kreu i Nismës, Fatmir Limaj.

Ai ka shtuar se letra e presidentit të SHBA-së Donald Trump nuk është marrë asnjëherë me seriozitet.

Reklama e sponzorizuar

“Ky jo seriozitet ka degraduar deri në tallje. Ata që sot janë në pushtet dhe shumë të tjerë nuk e kanë marrë seriozisht asnjëherë letrën e presidentit Trump, të datës 18 dhjetor 2018, i cili qartësisht ka përshkruar për përfitimet që Kosova do t’i nxirrte nëse e shfrytëzon atë mundësi dhe gjithashtu edhe për pasojat që do t’i vinin Kosovës, nëse e humb mundësinë për një marrëveshje finale me Serbinë. Ne, në vend që të shprehim mirënjohje për involvimin direkt të presidentit Trump dhe administratës amerikane në dialogun Kosovë – Serbi, në Prishtinë ende ka zëra hezitues”, tha ai.

Limaj ka thënë se iniciativave dhe këshillave që vijnë nga SHBA-të duhet të ju themi po pa asnjë hezitim.

“Iniciativave dhe këshillave për dialog që vijnë nga SHBA- të, pa hezitim duhet t’i themi PO. Dhe tani është momenti i fundit që të gjithë nga Prishtina të flasim me një zë. PO, ne pranojmë iniciativat dhe këshillat e juaja që mundësojnë arritjen e një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, e cila do të rezultonte me njohje reciproke dhe anëtarësim në OKB”, ka thënë ai.