Hapat e menjëhershëm dhe të menduar mirë të qeverisë së Kosovës për lehtësimin e pasojave nga koronavirusi munden megjithatë të sjellin pasoja serioze për ekonominë, ka paralajmëruar të shtunën ECIKS, një nga konsulencat kryesore për zhvillimin e sektorit privat.
Kjo kompani e ka publikuar një dokument pozicionues për masat e nevojshme dhe të menjëhershme ekonomike që do duhej të ndërmerreshin në Kosovë, kundër pasojave të COVID-19. Në këtë dokument shpërfaqen sfidat që vijnë nga koronavirusi për ekonominë e Kosovës, në veçanti për sektorin privat, teksa janë dhënë rekomandime për disa masa të nevojshme për t’u ndërmerrë nga qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet ekonomike dhe politike të vendit.
“Përderisa koronavirusi (COVID-19) vazhdon të përhapet në të gjithë botën, implikimet e tij për ekonominë globale mund të jenë të mëdha. Nisur nga ngjarjet e fundit, Kosova është bërë vendi më i ri në Europë që është prekur nga ky virus. Ndonëse qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa të menjëhershëm dhe të menduar mirë për të lehtësuar pasojat e mëtutjeshme të virusit, masa të tilla mund të sjellin pasoja serioze për ekonominë, veçanërisht për sektorin privat i cili edhe ashtu është subjekt i sfidave të mëdha”, shkruan në përmbledhjen që i paraprin raportit të ECIKS.