Zejnepe Bekteshi ka rreth 18 vjet që punonte në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Mirëpo, këtë të martë asaj i është shkëputur kontrata e punës.
Bekteshi thotë se nuk i është dhënë asnjë arsye për këtë.
Të njëjtin fat me të e kishte edhe Anda Kosha, e cila punonte në ANP tash e dy vjet.
Sipas punëtorëve, largimi nga puna erdhi për shkak se ishin pjesëmarrës në grevën e gushtit të 2019-s.
Kështu, këtë javë numri i të larguarve nga puna në aeroportin “Adem Jashari” është mbi 30.
E për Sindikatën e Aeroportit kjo gjë është e papranueshme.
Që nga koha e grevës, deri më tani numri i punëtorëve të larguar ka arritur mbi 60.
Kohavisioni ka provuar të marrë një përgjigje nga ana e zyrtarëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, mirëpo ata nuk kanë qenë të qasshëm gjatë së martës.
Për të gjitha shkëputjet e kontratave në ANP, tashmë është njoftuar edhe Inspektorati i Punës, i cili ka nisur hetimet.