Kafiteri, restauronte e vende për ushqime të shpejta. Të gjitha janë mbyllur nga Qeveria në kuadër të masave për të ndaluar përhapjen e virusit vdekjeprurës. Industria e gastronomisë është një prej veprimtarive që bën qarkullime të mëdha financiare, punëson shumë kosovarë, e po ashtu është pika ku hyjnë në lojë edhe fusha tjetra të ekonomisë- furnitorët.
Kryetari i Shoqatës së Gastronomisë, Petrit Kllokoqi ka thënë se qeveria duhet të dalë më një plan ndihmës për këtë sektor.
“Kuptohet që problemet tona të para kanë me qenë tatimet e ATK-së, kanë me qenë taksat komunale, pagesat me qiramarrësit dhe kuptohet se problemet për pagesa të punëtorëve. Po shpresojmë që Qeveria e Kosovës për arsyeje të mbylljes së bizneseve po shpresoj që të njëtjën kohe e kalkuluar këtë risk e duhet të ketë zgjidhje për të dalë nga kriza ekonomike, e ka me pas support prej shtetit në drejtim të bizneseve, qe qeveria do të subvencionoj që ne me kalu këtë krizë që na është paraqitur”, ka thënë Kllokoqi
Kllokoqi ka thënë se virusi shëndetësor ka ndikuar shumë në ekonomi duke u kthyer në një efekt si virus ekonomik.
“Ne si gastronomë, kemi qenë njëherë të gatshëm t’i përmbahemi urdhërave të qeverisë e kemi kuptuar situatën se mundet me kontribu negativisht në hapjen e bizneseve tona, për këtë arsye kemi qenë të gatshëm që t’i mbyllim bizneset tona, kuptohet që bizneset janë duke u dëmtuar shumë për arsye se virusi shëndetësor është duke e bërë efektin mos të them edhe si virus ekonomik. Jemi në situatë të rëndë edhe ne gastronomët pasi të hyrat momentale në bizneset tona janë zero, mirëpo shpenzimet jetësore po vazhdojnë, ne po i mbajmë lokalet”, ka shtuar Kllokoqi.