MIE i dha kontratë lobimi kompanisë së specializuar për media dhe rrjete sociale

Një kompani franceze e specializuar për media dhe rrjete sociale ka fituar në vitin 2019-të kontratë lobimi në vlerë 168 mijë euro nga Ministria e Integrimit Evropian. Mirëpo, nga të gjitha publikimet e pakta në internet, “Majorelle PR”, nuk duket të ketë ndonjë përvojë të shquar në fushën e lobimit.

Agon Sinanaj

Në mesin e dy kontratave të mëdha për lobim që u nënshkruan nga Dhurata Hoxha, sa ishte në krye të Ministrisë së Integrimit Evropian (MIE), është edhe ajo me kompaninë franceze “Majorelle Pr&Event”.

Reklama e sponzorizuar

Kjo kompani, gjatë vitit 2019-të, u pagua 28 mijë euro në muaj nga taksapaguesit kosovarë për qëllime lobimi, mirëpo nga të gjitha publikimet e pakta që ka në internet, “Majorelle Pr” nuk duket të ketë përvojë të shquar në fushën e lobimit. Më shumë është e specializuar në media dhe rrjete sociale.

ueb-faqen e kompanisë, thuhet se ofrojnë “shërbime në fushën e komunikimit publik, ku hyjnë mediat dhe rrjetet sociale”.

“Njerëzit dhe bizneset duhet të marrin vendime në raport me opinionin publik, siç janë ato që kanë të bëjnë me imazhin dhe reputacionin e tyre, pra mbi kontrollin medial rreth veprimtarisë së tyre. Ne i vëmë në dijeni klientat tanë për çfarëdo përpjekje që do ta vinte në rrezik imazhin e tyre apo të biznesit të tyre”, thuhet në përshkrimin e qëllimit të kompanisë.

Ekspertiza e kompanisë është e përqendruar sidomos në atë sesi paraqitet në media një çështje e caktuar që lidhet me klientët e “Majorelle Pr”.

“Analistat e rrjeteve sociale të “Majorelle Pr” hulumtojnë shpërndarjen dhe impaktin që e ka në rrjete sociale një çështje e caktuar, në mënyrë që të ndihmojmë klientët në marrjen e vendimeve të duhura”.

Kompania thotë se ka të punësuar 6 punëtorë në krye me Anne Hommel  dhe Sacha Mandel, të dy ekspertë të marrëdhënieve me publikun.

Për themeluesen Anne Hommel, në ueb-faqe është vënë kjo biografi e shkurtër: 

“Anne Hommel e themeloi “Majorelle Pr” pas 25 vitesh përvojë në marrëdhënie me publikun. Ajo e filloi karrierën duke punuar për politikanë dhe figura tjera publike. Në veçanti, ajo ka këshilluar Drejtorin Menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar në organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare, kurse aktualisht këshillon drejtues korporatash dhe figura publike më rëndësi”.

Ndërsa për Sacha Mandel, nënshkrimi i të cili figuron në kontratën me MIE, thuhet se po ashtu ka përvojë të gjatë në marrëdhënie me publikun.

“Sacha Mandel ka punuar në strategjinë e komunikimit për Ministrinë e Mbrotjes në Francë nga viti 2012 deri në vitin 2015”.

“Punët lobuese” të Majorelle Pr për MIE “mund të kryheshin me një kërkim në Google”

Buletini Ekonomik ka dërguar pyetje në adresë të “Majorelle Pr”, për të ditur se cila është përvoja e kompanisë në fushën e lobimit dhe cilët janë shembujt që e bëjnë atë kredibile në këtë fushë. Përkundër insistimit, askush nuk ka kthyer përgjigje.

Ndërkaq, një dokument i brendshëm i Ministrisë së Integrimit Evropian, të cilin e ka siguruar Buletini Ekonomik, tregon sesi kjo kompani u pagua 168 mijë euro për disa shërbime fare të thjeshta. Aktiviteti kryesor i saj ishte që ta njoftonte ministrinë në baza mujore lidhur me atë se çfarë shkruanin mediat franceze për Kosovën.

“Nga raportimet e këtij operatori ekonomik për shërbimet e kryera në emër të MIE dhe natyrën e shërbimeve, dalin dyshime mbase të bazuara se a i’a ka vlejtë të paguhen 28,000.00 euro në muaj për shërbime të tilla (si p.sh. përcjellja e shtypit francez etj; se a e kanë përmendur ose jo Kosovën, etj;), gjë e cila do mund të bëhej edhe nga Kosova, me një kërkim të thjeshtë duke shkruar fjalën “Kosova” bashkë me datën përkatëse në google”, thuhet në këtë raport, që tashmë i ka shkuar edhe Zyrës së Kryeministrit.

Raporti është përgatitur pas ardhjes së Blerim Rekës në krye të Ministrisë së Integrimit Evropian. Si aktivitet tjetër në raport përmendet “lobimi” i kompanisë për të sjellë në Kosovë gazetarë të huaj për përcjelljen e “Sunny Hill Festival” apo “Dokufest-in”.

“Madje s’kishin arritur të gjejnë interesim të duhur të mediave franceze; ndonëse për këto ngjarje në Kosovë kishin ardhur media nga e tërë bota, sidomos për t’a përcjellur artisten Dua Lipa në “Sunny Hill Festival”, e të ngjashme. Tërë ky “aktivitet” i kompanisë lobuese franceze duket me tepër si një tallje dhe nënҫmim ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në raportin e MIE.

Mirëpo pas publikimit të shkrimit në Buletini Ekonomik, punët e “Majorelle Pr” për festivalin “Sunny Hill”, i ka mohuar drejtuesi i këtij festivali, Dukagjin Lipa. Ai ka thënë se kompania në fjalë jo që nuk ka kryer punë për këtë festival, por ai edhe e ka “denoncuar” të njëjtën në Ambasadën e Kosovës në Francë.

“Përkundrazi, ne e kemi refuzuar bashkëpunimin me këtë agjenci, meqë e njëjta e ka kushtëzuar ardhjen eventuale të gazetarëve francez në Kosovë me kërkesa jo-profesionale ndaj nesh si festival si dhe ndaj pjesëmarresve dhe përkrahësve të festivalit të nivelit më të lartë botërorë. Dhe natyrisht se ne e kemi refuzuar menjëherë një mundësi të tillë të bashkëpunimit..dhe për këtë tentim dhe qasje joprofesionale është njoftuar edhe Ambasada e Kosovës ne Francë”, ka thënë Lipa në reagimin e tij publik.

Ambasada e Kosovës në Francë, në një përgjigje për Buletinin Ekonomik, nuk i ka komentuar këto pretendime të Lipes. Në përgjigjen e tyre vetëm thuhet se në disa raste kanë bashkëpunuar me kompaninë franceze.

“Në cilësinë e përfaqësimit më të lartë në Francë, Ambasada e Republikës së Kosovës në Paris natyrisht që ka qenë në kontakt me ekipet e Majorelle PR për t’ju përgjigjur pyetjeve të tyre dhe për të lehtësuar punën, në disa raste”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.

Detajet e kontratës

Ndryshe kontrata 13 – faqëshe mes MIE dhe “Majorelle Pr” është nënshkruar më datën 28.03.2019 nga Kushtrim Cukaj, Sekretar i Përgjithshëm i MIE-së, nga ish-ministrja e MIE-së, Dhurata Hoxha dhe nga Fitim Mustafa, Zyrtar përgjegjës i Prokurimit në MIE, ndërkaq nga pala franceze nga Sacha Mandel, Drejtor i Majorelle PR & Events.

Në raportin e MIE saktësohet se kontrata është nënshkruar “bazuar në kërkesën e ministres së MIE, Dhurata Hoxha, të datës 19.02.2019, protokoluar në MIE më datë 21.02.2019”.

Vlera e përgjithshme e kontratës është 168.000 Euro dhe është lidhur për gjashtë muaj, apo me obligim pagese nga 28.000 euro në muaj. /Buletini Ekonomik/

LEXO EDHE:

http://buletiniekonomik.com/index.php/2020/02/29/kompania-franceze-u-pagua-mijera-euro-per-sherbime-qe-kryhen-me-nje-kerkim-ne-google/