MPBAP: Të zbatohet vendimi për mos frekuentimin e parqeve dhe ndalimin e shitjes së pijeve dhe ushqimeve “merr e shko”

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, kërkon që të zbatohet vendimi i Grupit Ndërinstitucional për Menaxhimin e Incidenteve, sipas të cilit ndalohet frekuentimi nëpër të gjitha parqet apo ambientet e ngjashme, çdo ditë nga ora 08:00 deri në ora 20:00.

Në bazë të vendimit të marrë me 20.03.2020, gjithashtu ndalohet shitja e pijeve të ngrohta përfshirë këtu shërbimet “take away” (për të marrë me vete) nga të gjitha subjektet ekonomike të cilat ofrojnë këto shërbime pavarësisht veprimtarisë së tyre primare.

Reklama e sponzorizuar

“Me këtë vendim detyrohet Policia e Kosovës që të shtojë prezencën e zyrtarëve policor në të gjitha parqet në Republikën e Kosovës, me qëllim të mbikëqyrjes së ndalimit të frekuentimit të parqeve nga personat. Po ashtu detyrohen të gjitha subjektet ekonomike të cilat janë të lejuara të ofrojnë shërbimet e tyre, që të vendosin shenjat përkatëse për mbajtjen e distancës prej një (1) metër për të gjithë personat”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.

MPBAP fton  të  gjithë qytetarët të bashkëpunojnë duke kontribuar në raportimin e rasteve të shkeljeve të këtij vendimi në numrin 112, duke i ndihmuar Policisë së Kosovës, Inspektorëve dhe të gjitha institucioneve përkatëse ta zbatojnë me lehtësi vendimin e lartcekur.

“Kontributi i secilit nga ju do të  ndihmojë në ruajtjen e shëndetit tuaj dhe familjes suaj.  Andaj ju ftojmë që të kontribuoni duke qëndruar në shtëpi.   Mbroni veten dhe familjen tuaj!”, thuhet në njoftim.