Kreu i LDK-së, Isa Mustafa përmes një postimi në Facebook ka kërkuar që taksa të hiqet krejtësisht, ashtu siç po kërkon SHBA-ja.
Në një postim në Facebook ai ka thënë se taksa e vendosur nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj nuk kishte arsyetim ekonomik, por LDK-ja e kishte përkrahur për të ndalur hovin e presidentëve, Thaçi – Vuçiq, për pazaret për territorin e Kosovës.
“Që nga fillimi jam shprehur haptas, ndoshta ndër të vetmit, se tarifa së pari 10 për qind e pastaj 100 për qind, e caktuar nga Qeveria Haradinaj, nuk kishte arsyetim ekonomik por ishte vënë për t’u mbrojtur nga dështimet, sidomos në politikën e jashtme. Presidenti i Serbisë, Vuçiq, i dha tarifës dimension të kushtëzimit të dialogut. Prandaj kur doli në pah mundësia e pazareve me territorin ndërmjet dy presidentëve, atij të Serbisë dhe të Kosovës, tarifa rrëshqiti në levën e pengimit të këtij dialogu të dëmshëm. Atëherë e kam përkrahur ish-kryeministrin Haradinaj për vazhdimin e tarifës”, ka shkruar Mustafa.
Mustafa tutje ka shtuar se pas angazhimit të SHBA-së për dialogun, taksa ka mbetur si relikt dhe po i shërben Serbisë për t’u paraqitur si viktimë.
“Pas zgjedhjeve të vitit të kaluar të Komisionit Evropian dhe sidomos pas angazhimit shumë aktiv të SHBA-së me përfaqësuesin special të Presidentit Trump, ambasadorin Grenell, tarifa objektivisht mbetet vetëm si relikt, i cili po i shërben Serbisë të paraqitet si viktimë në arenën ndërkombëtare dhe disave në Kosovë si mjet i vetëm i një kauze të paqëndrueshme politike”, ka thënë Mustafa.
Tutje ai ka shtuar se askujt nuk i mbushet mendja se Kosova e detyron Serbinë që ta njohë përmes tarifës.
“Por, shumicës dërmuese iu mbushet mendja se SHBA-të, në rend të parë, dhe BE mund ta bindin Serbinë, përmes procesit të dialogut, ta njohë shtetin e Kosovës. Dëshiroj të besoj se mbledhja e nesërme e Kuvendit do t’i japë përkrahje Qeverisë dhe Kryeministrit Kurti të hiqet tarifa. Të hiqet ashtu siç po kërkojnë SHBA-të”, ka thënë Mustafa. “Nuk jam i sigurt që dikush nga grupet parlamentare ose deputetët e Kuvendit apo qeveritarët ta kenë gjetur një partner më të fortë, më meritor dhe më të përkushtuar sesa SHBA-të për shtetin dhe shtetësinë e Kosovës. E as një rrugë më me perspektivë se ajo e integrimit evropian dhe euroatlantik”.
Ai thotë se LDK-ja e dëshiron heqjen e taksës, jo vetëm pse e do SHBA-ja, por sepse është i bindur se kjo është në interes të Kosovës.
“Nëse dikush luhatet, LDK, deputetët e saj dhe anëtarët e Qeverisë do të mbështesin pa asnjë rezervë dhe me besim e bindje të plotë heqjen e menjëhershme të tarifës, dhe atë jo vetëm se po e kërkon partneri ynë strategjik SHBA, por se jemi të bindur se kjo është në interes të shtetit të Kosovës”, ka shkruar ai.
Ai ka paralajmëruar se do të vendoset reciprociteti nëse nuk ndryshon Serbia çasje ndaj Kosovës.
“Në qoftë se Serbia, nuk e ndal fushatën kundër Kosovës dhe nuk mënjanon pengesat tregtare dhe ekonomike, LDK mbetet e përkushtuar për aplikimin e masave të reciprocitetit pas një periudhe që Qeveria e akordon me SHBA-të dhe BE-në”, ka shkruar Mustafa.