Ndikimi ekonomik i shpërthimit të koronavirusit në Europën Juglindore

Fabrikat e automobilave pezulluan prodhimin, aeroportet u mbyllën dhe planet e privatizimit u ndalën, teksa pandemia e koronavirusit po përhapet në Europën Juglindore (EJL), shkruan SEE News.

Infeksioni i koronavirusit preku fillimisht rajonin muajin e kaluar në shkurt, me rastin e parë të raportuar në Kroaci, më 25 shkurt. Deri në 18 mars, numri i rasteve të konfirmuara të sëmundjes së koronavirusit (Covid-19) në rajon, kishte tejkaluar 1.000 persona të prekur dhe shumica e vendeve kishin deklaruar gjendjen e jashtëzakonshme. Restorantet dhe dyqanet, me përjashtim të farmacive dhe dyqaneve ushqimore, mbyllën grilat dhe linjat ajrore anuluan pjesën më të madhe të fluturimeve.

Teksa vendet nisën të mbyllnin kufijtë, zinxhirët e furnizimit dhe marrëdhëniet me klientët në tregjet e huaja pësuan përçarje. Rënia e kërkesës i detyroi kompanitë të zvogëlojnë prodhimin dhe tashmë ato paralajmërojnë se mund të kenë nevojë për të pakësuar stafin. Sektorët më të ekspozuar ndaj Kinës ishin të parët që pësuan goditjen, por teksa sëmundja mori përmasa globale, ndikimi i saj mund të shihet kudo, duke rritur frikën e një ngadalësimi ekonomik, madje edhe recesioni.

Reklama e sponzorizuar

Vlerat e aksioneve ranë ndjeshëm dhe megjithëse sektori bankar i rajonit është kryesisht i qëndrueshëm, disa tregje financiare pësuan luhatje. Leu rumun, shënoi një rënie rekord, pasi shqetësimet e koronavirusit rritën edhe më tepër valën e pasigurisë të shkaktuar nga një krizë politike e vazhdueshme në vend. Pandemia ndali privatizimet e planifikuara, si shitja e Croatia Airlines; vonoi projekte të mëdha të infrastrukturës, si ndërtimi i autostradave dhe termocentraleve; dhe bëri që të liheshin mënjanë shumica e çështjeve të tjera.

Më poshtë është një përmbledhje e ndikimit të pandemisë në ekonomitë e rajonit të Europës Juglindore, deri më 18 mars.

PO RRITET FRIKA E NJË RECESIONI EKONOMIK

Me shfaqjen e rasteve të para të koronavirusit u regjistruan në Europën Juglindore, analistët nuk vonuan të rishikonin parashikimet e tyre për rritjen ekonomike të rajonit, tashmë tepër pesimistë nga frika e një recesioni global.

Banka Erste e Austrisë e uli parashikimin e rritjes ekonomike për Europën Qendrore dhe Lindore (CEE) me 0.3 pikë përqindje, duke arritur në 2.6% për vitin 2020 dhe duke theksuar se nëse përhapja e koronavirusit nuk frenohet në një të ardhme të afërt, aktiviteti ekonomik global mund të ulet edhe më tej, duke rezultuar në një ngadalësim edhe më të madh. Rishikimet mbi uljen e rritjes ekonomike të vendeve, variojnë nga 0.3 pikë përqindje në rastet e Republikës Çeke, Hungarisë dhe Polonisë, deri në 0.5 pikë përqindje për Rumaninë apo edhe më shumë për Kroacinë.

Edhe grupi bankar dhe financiar holandez ING, i uli parashikimet e rritjes së PBB-së në vitin 2020, për katër vende të rajonit.  ING-ja uli parashikimin e rritjes ekonomike në 1.2% për Kroacinë, 2.1% për Bullgarinë, 3.9% për Serbinë dhe 2.1% për Rumaninë. Para këtij rishikimi, ING-ja priste që rritja e PBB-së të ishte vetëm paksa më modeste në vitin 2020 krahasuar me vitin 2019, duke projektuar që ajo të ngadalësohej në 3.6% nga 4.1% në Rumani, në 3.0% nga 3.1% në Bullgari dhe në 2.2% nga 2.9% në Kroaci. Për Serbinë, ING-ja priste një rritje, duke arritur në 4.7% në vitin 2020 krahasuar me 4.2% në vitin 2019.

“Sidoqoftë, planet gjithmonë kanë të meta dhe shpërthimi i Covid-19 e ka ndryshuar rrënjësisht perspektivën, duke arritur në një pikë ku termi “recesion” nuk duket i pazakontë. Kjo nuk do të thotë se kemi arritur deri aty – me pak fat dhe mençuri politike – ka një shans të mirë që katër vendet e Ballkanit të shmangin një skenar të tillë”, komenton ING-ja.

Në Kroaci, ING-ja konstaton se ekonomia është shumë e ekspozuar ndaj një ngadalësimi ekonomik, për shkak të peshës mjaft të madhe të turizmit në PBB-në e vendit, sektorit të dobët industrial dhe modelit të rritjes të varur nga konsumi, duke marrë parasysh se plot 2.1 pikë përqindje e PBB-së prej 2.9% të vitit të kaluar, u kontribuua nga konsumi privat.

Në Bullgari, edhe pse viti 2020 supozohej të ishte viti i hyrjes në Mekanizmin e Kursit të Këmbimit Europian II (ERM II) si hapi i parë zyrtar drejt adoptimit të euros, perspektivat e bashkimit me ERM II në muajt e ardhshëm, tani duken më të largëta sipas ING-së, edhe pse nuk ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë midis kësaj çështjeje dhe shpërthimit të koronavirusit.

Në Serbi, ING-ja komentoi se struktura e rritjes ekonomike është optimiste, me investimet që vazhdojnë të jenë shtytësi kryesor, ndërsa hyrjet e kapitalit mbështesin dinarin serb dhe inflacioni lejon që banka qendrore të ulë kostot e huamarrjes. Kërkesa e fortë e brendshme normalisht do të jetë në gjendje të përballojë tronditjet e jashtme që vijnë nga partnerët kryesorë tregtarë të Serbisë – Italia dhe Gjermania.

Nga ana tjetër, ING-ja beson se Rumania, ekonomia më e madhe në rajon, do të pësojë një ngadalësim serioz këtë vit, duke marrë parasysh strukturën e saj të rritjes dhe pandeminë e kohëve të fundit. “Tashmë dihet se Rumania i dogji fondet fiskale gjatë periudhave shumë të mira ekonomike, gjë që e lë ekonominë të ekspozuar ndaj një rënieje”, vuri në dukje raporti. “Megjithëse vështirë se mund të presim ndonjë konsolidim fiskal domethënës këtë vit (për shkak të efektit të Covid-19 dhe klimës zgjedhore), nuk ka vend as për zgjerim fiskal”, thanë analistët, duke vënë në dukje deficitin fiskal të Rumanisë prej 4.64% të PBB-së në vitin 2019.

Ekonomitë më të vogla në rajon ka të ngjarë të vuajnë po aq sa të mëdhatë. Në Shqipëri, për shembull, perspektivat e rritjes ekonomike u fundosën nga një tërmet shkatërrimtar që goditi vendin në nëntor dhe janë përkeqësuar edhe më tepër nga shpërthimi i fundit global i koronavirusit, tha Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), duke shtuar se kjo tronditje gjithashtu do të godasë turizmin. Shkalla e ngadalësimit është shumë e pasigurt në këtë moment, shtoi FMN-ja.

VLERAT E AKSIONEVE BIEN MES PAQËNDRUESHMËRISË SË LARTË, LEU RUMUN BIE NË NIVELET MË TË ULËTA

Pasiguria e lidhur me koronavirusin në aktivitetin e investimeve në nivelin global dhe rajonal dhe një bllokim i mundshëm i kanaleve të shpërndarjes, mund të ndikojë në zhvillimet e investimeve edhe në Moldavi, tha banka qendrore e vendit, e cila uli normën e interesit në 4.5%.

Homologia e saj serbe ndoqi të njëjtin shembull dhe uli normën bazë të interesit REPO në 1.75% nga 2.25%. Sidoqoftë, shpërthimi i virusit Covid-19 vjen në një kohë kur normat e interesit janë tashmë në nivele të ulëta rekord, dhe si pasojë, Banka Qendrore Europiane ngurron që t’i lehtësojë ato edhe më tej. Prandaj, ajo vendosi t’i mbajë të pandryshueshme normat e interesit mes likuiditetit të bollshëm në treg.

Fatmirësisht, bankat në rajon kryesisht perceptohen si të qëndrueshme, ndryshe nga dhjetë vjet më parë, kur filloi kriza europiane e borxhit. Megjithatë, disa tregje financiare, veçanërisht ato kroate dhe rumune, pësuan luhatje.

“Kjo pasiguri, e shoqëruar me rritjen e frikës nga rezultate të pafavorshme, kanë shkaktuar në fund të shkurtit dhe në fillim të marsit, një paqëndrueshmëri jashtëzakonisht të lartë në tregjet financiare ndërkombëtare dhe rritjen e kërkesës për valutën e huaj në Kroaci”, komentoi banka qendrore, HNB.

Pas pothuajse katër vjet e gjysmë pa ndërhyrje në treg, HNB-ja ka ndërhyrë tre herë nga data 9 deri më 13 mars, duke shitur një shumë prej 1.21 miliardë eurosh për të ndihmuar në stabilizimin e këmbimit kuna-euro. Për më tepër, më 16 mars, ajo hodhi 4.45 miliardë kuna (643 milionë dollarë/586 milionë euro) në dy ankande të REPO-ve me bankat vendore, për të siguruar likuiditet gjatë krizës së koronavirusit. Banka qendrore gjithashtu nisi blerjen e bonove qeveritare, duke synuar të ruajë stabilitetin e tregut të borxhit qeveritar.

Ndërkohë në Rumani, leu vazhdoi të dobësohej ndaj euros, megjithëse kjo rënie lidhet kryesisht me krizën politike në vend. Më 16 mars, banka qendrore BNR, vendosi kursin e këmbimit referencë në nivelin 4.8242 lei (1.09 $/0.99 euro) për euro, një nga uljet e shumta që prej fillimit të shkurtit, kur Parlamenti hodhi poshtë qeverinë liberale të udhëhequr nga Ludovic Orban me një votë mosbesimi.

Në tregjet e aksioneve, rritja e paqëndrueshmërisë shkaktoi rënien e mprehtë të indekseve kryesore në Bullgari dhe Rumani dhe ndalesa në tregti në Kroaci dhe Maqedoni, pasi lufta saudite e çmimeve të naftës rriti shqetësimet në lidhje me kërkesën e ngjeshur të shkaktuar nga koronavirusi.

Që prej fillimit të marsit, indekset e shkëmbimit të aksioneve në Bullgari, Kroaci dhe Rumani, kanë pësuar një rënie dyshifrore, pasi investitorët e kujdesshëm ndaj ndikimit të koronavirusit, u zmbrapsën edhe më shumë nga rënia e çmimeve globale të naftës.

Indeksi SOFIX i Bursës Bullgare ra më tepër, me 23.2%, i ndjekur nga indeksi CROBEX i Bursës së Zagrebit, me një rënie prej 23.1% në periudhën 1-17 mars. Bursa e Bukureshtit pësoi uljen më të vogël prej 17.1%. Në periudhën e shkurtit, indeksi rumun kishte arritur shifrat e tij më të larta që prej 12 muajsh.

Në një përpjekje për të mbrojtur investitorët dhe për të siguruar një shkallë të lartë transparence, Autoriteti Europian i Sigurimeve dhe Tregjeve (ESMA) u kërkoi pjesëmarrësve të tregut financiar që të publikojnë sa më shpejt të jetë e mundur informacionet përkatëse që kanë të bëjnë me ndikimin e koronavirusit në operacionet e tyre. Megjithatë kompanitë vendore kanë qenë të kujdesshme në përgjigjen e tyre, ose duke iu përmbajtur deklaratave të përgjithshme, ose duke mos dhënë asnjë deklaratë.

MË PAK NDIHMË NGA SHTETI

Rreth 74% e menaxherëve të kompanive rumune po konsiderojnë si mundësi pakësimin e stafit, pasi operacionet e tyre po ndikohen nga shpërthimi i koronavirusit, tregoi një studim i publikuar në mesin e marsit nga Klubi i Biznesit Rumun, një organizatë lokale e sipërmarrësve. Rreth 40.5% e kompanive rumune thanë se mund të vazhdojnë operacionet deri në një muaj duke u mbështetur në burimet e tyre, ndërsa 35.5% presin të jenë në gjendje të vazhdojnë aktivitetin për tre deri në gjashtë muaj nëse kriza vazhdon. Sondazhi anketoi përfaqësuesit e 200 ndërmarrjeve, qarkullimi vjetor i të cilave tejkalon 60 milionë euro.

Zbutjet e taksave konsiderohen si një zgjidhje nga 44% e ndërmarrjeve, ndërsa 23% besojnë se shteti duhet t’i mbështesë ato me fonde. Duke pasur parasysh natyrën e papritur të pandemisë së koronavirusit, vetëm 30% e menaxherëve që morën pjesë në studim, thanë se kishin gati një strategji biznesi për t’i ndihmuar në kapërcimin e krizës.

Dy organizata të tjera në vend, Këshilli i Investitorëve të Huaj të Rumanisë (FIC) dhe Konfederata e Punëdhënësve të Konkordisë, i kërkuan qeverisë të shtyjë pagesën e kontributeve sociale nga punëdhënësit për një periudhë tremujore, pasi deri tani ky është shpenzimi i tyre më i madh, i vlerësuar gjithsej në rreth 10 miliardë lekë (2.26 miliardë dollarë/2.06 miliardë euro) në muaj. Shtyrja e pagesës së kontributeve sociale do të lejojë që sektorët e prekur të pushojnë sa më pak punonjës, siç u shprehën ata në një letër të përbashkët.

Qeveria duhet të ketë në gatishmëri skemat e huave të garantuara nga shteti për të mbështetur bizneset e vogla dhe të mesme, për të cilat shtyrja e pagesave të taksave nuk është e mjaftueshme. Për më tepër, qeveria duhet të zgjasë ose miratojë programe të garantuara nga shteti, në mënyrë që bankat të mund të japin hua për klientët e prekur përkohësisht nga kriza e koronavirusit.

Të dyja organizatat po kërkojnë masa specifike si për sektorin e shitjes me pakicë ashtu edhe për sektorin e transportit, me qëllim sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm të ushqimit dhe ilaçeve, gazit, energjisë elektrike dhe karburantit për qytetarët. Investitorët dhe menaxherët po paralajmërojnë qeverinë se sektori i turizmit është shumë i ekspozuar ndaj rrezikut të falimentimeve dhe ka nevojë për një ndërhyrje të shpejtë. Për të mbrojtur më mirë punonjësit, dy organizatat propozojnë përditësimin urgjent të Kodit të Punës të Rumanisë, në mënyrë që të lehtësohet puna nga shtëpia ose në distancë.

Propozime të ngjashme janë hedhur në tryezë edhe nga vendet e tjera. Në Bullgari, qeveria deklaroi se planifikon masa për të mbështetur punësimin duke mundësuar pagimin e 60% të pagave të punëtorëve që rrezikojnë pushimin nga puna, për shkak të ndikimit të pandemisë së koronavirusit në biznese.

Qeveria është zotuar për të mundësuar këtë ndihmë nëse punëdhënësit vendosin t’i mbajnë këta punëtorë në vend që t’i pushojnë nga puna. Mbështetja do të ofrohet për një periudhë tremujore, duke mbuluar 60% të kostove të punës të bizneseve të prekura. Qeveria planifikon të rrisë kapitalin e Bankës Bullgare të Zhvillimit me 500 milionë lev (280,6 milionë dollarë / 255.6 milionë euro), në mënyrë që të mbështesë bizneset e prekura nga pandemia e koronavirusit.

Në Kroaci, qeveria tha se planifikon të zgjasë afatet e pagesës së taksave dhe shlyerjes së huave dhe të sigurojë rimbursimet e taksave për kompanitë dhe individët më shpejt se zakonisht, duke synuar të sigurojë më shumë likuiditet për të ndihmuar ekonominë të përballojë krizën e koronavirusit. Në të njëjtën kohë, qeveria planifikon të prezantojë rimbursimin e hershëm të taksave të tepërta që zakonisht bëhet në gusht në Kroaci.

Për më tepër, sipas raportimeve të mediave lokale, kreu i Shoqatës së Bankave Kroate (HUB), Zdenko Adrovic, tha se bankat lokale po konsiderojnë pezullimin e shlyerjes së huave për qytetarët dhe kompanitë e prekura nga pakësimi i stafit të punës ose nga mbyllja e bizneseve për shkak të epidemisë së koronavirusit. Sipas propozimit, bankat do të jenë në gjendje të vonojnë shlyerjen e disa huave të caktuara për 6 deri në 12 muaj, pa pasur nevojë të lënë mënjanë rezerva shtesë për to, sepse këto kredi do të mbulohen nga një garanci shtetërore.

Ndërkohë, Komisioni Europian propozoi përdorimin e 37 miliardë eurove si instrument i politikës së kohezionit në luftën kundër krizës së koronavirusit dhe Grupi Europian i Bankës së Investimeve tha se do të mobilizojë me shpejtësi deri në 40 miliardë euro për të luftuar krizën e shkaktuar nga Covid-19.

PROJEKTE TË MËDHA INFRASTRUKTURE JANË PEZULLUAR

Nga ana e saj, qeveria e Serbisë tha se ka vendosur të investojë një shtesë prej 24 miliardë dinarësh (225 milionë dollarë / 203 milionë euro) në projektet e infrastrukturës, në një përpjekje për të zbutur rreziqet e krizës së koronavirusit në rritjen ekonomike të vendit, tha kryeministri Ana Brnabic, duke shtuar se kriza e koronavirusit gjithashtu ka shkaktuar një vonesë prej 20 deri në 30 ditësh në zbatimin e projekteve të mëdha të infrastrukturës në të gjithë vendin.

Edhe vendet e tjera të rajonit kanë raportuar vonesa në projektet e mëdha infrastrukturore për shkak të pandemisë.

Në Malin e Zi, ndërtimi i autostradës Bar-Boljare nga China Road and Bridge Corporation (CRBC) është vonuar, njoftojnë mediat malazeze. Rreth 800 punëtorë kinezë të angazhuar në ndërtimin e autostradës janë ende në vendin e tyre, për shkak të epidemisë së koronavirusit, tha në shkurt Jonuz Mujeviç, drejtori i operatorit të autostradës Monteput.

“Drejtori i CRBC-së do të na informojë se sa prej tyre do të jenë në gjendje të kthehen në vendin e ndërtimit. Ndodhemi në rrethana të vështira sepse kur punëtorët të kthehen, do të duhet të qëndrojnë në karantinë për një kohë të caktuar, por ne jemi siguruar nga kontraktuesit që nëse ka ndonjë problem, ata do të punësojnë nënkontraktorë”, tha Mujeviç. CRBC-ja po ndërton seksionin 41 km Smokovac Matesevo të autostradës, 83% e të cilit ka përfunduar.

Në Republikën Serbe të Bosnjës, nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e hidrocentralit 160 MË (HEC) HE Dabar, në rajonin e Hercegovinës jugore, është vonuar për një muaj, për shkak të shpërthimit të koronavirusit në Kinë, raportojnë mediat lokale. Si një investitor strategjik për zbatimin dhe financimin e 600 milionë markave (339 milionë $/307 milionë euro), HE Dabar duhej të ishte zgjedhur deri në fund të shkurtit.

HUMBËSIT E MËDHENJ – INDUSTRIA E AUTOMOBILAVE, TURIZMIT, TRANSPORTIT

Sektori i automobilave ishte i pari që ndieu ndikimin e krizës së koronavirusit për shkak të varësisë së lartë ndaj Kinës dhe Italisë, dy vendet e goditura më rëndë deri tani nga pandemia.

Në shkurt, një zëdhënës i Fiat Chrysler Automobiles (FCA), tha se kompania planifikon të pezullojë prodhimin në fabrikën e saj serbe në Kragujevac, për shkak të mungesës së furnizimeve të pjesëve elektrike nga Kina, si pasojë e shpërthimit të koronavirusit në vendin aziatik. Masa u bë faktike në mes të marsit. Ky pezullim, i cili pason ndërprerjen e kërkesës së tregut të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, do të hyjë në fuqi më 27 mars, tha kompania. Dy prodhuesit kryesorë të Rumanisë – Ford Rumania dhe Dacia, ndoqën të njëjtin shembull në mars.

Njësia rumune e prodhuesit të makinave amerikane Ford Motor Company tha më 17 mars se do të ndalojë përkohësisht prodhimin në fabrikën e saj në Craiova duke filluar nga 19 marsi dhe punonjësit e saj do të kalojnë në papunësi teknologjike.

Dacia njoftoi një ditë më vonë se aktiviteti në fabrikën e saj në Mioveni në qarkun Arges do të ndërpritet nga 19 marsi deri në 5 prill, për shkak të epidemisë.

Goditja në turizëm dhe transport, veçanërisht në transportin ajror, është shumë më e rëndë. Nga mesi i marsit, të gjitha vendet e rajonit ose i ndaluan plotësisht, ose i rralluan tej mase fluturimet e pasagjerëve dhe disa aeroporte në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut janë mbyllur. Ministria e Transportit në Kroaci tha se do të pezullojë përkohësisht procesin e zgjedhjes së një partneri strategjik për rikapitalizimin e planifikuar të linjës ajrore Croatia Airlines, si pasojë e ndikimit të pafavorshëm të shpërthimit të koronavirusit në industrinë e aviacionit.

Megjithëse turizmi gjeneron një pjesë të lartë të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në shumicën e vendeve, situata është veçanërisht e rëndë në Kroaci.

Kompanitë e njohura turistike kroate Adris Grupa dhe Valamar Riviera, thanë se një numër i madh prenotimesh për periudhën mars-maj, janë anuluar për shkak të infeksionit të koronavirusit, ndërsa prenotimet për muajin qershor janë ndikuar më pak. Disa kompani të tjera të turizmit kroat dhe operatorët e hoteleve të listuar në Bursën e Zagrebit (ZSE) thanë se shumica e prenotimeve para sezonit turistik, nga marsi deri në fund të majit, ose janë anuluar ose janë rralluar krahasuar me një vit më parë.

Për më tepër, operatorët e hotelit, si Hoteli Maestral dhe FTB Turizam, janë detyruar të shtyjnë ose anulojnë hapjen e hoteleve të reja që ishin planifikuar të ishin gati për sezonin e ardhshëm veror. Të dy operatorët kanë paralajmëruar se edhe nëse sëmundja do të vihet nën kontroll deri në maj, të ardhurat vjetore do të bien jo më pak se 30%. Hoteli Jadran raportoi anulimin e 40% të prenotimeve për muajin prill dhe maj, ndërsa Hoteli Liburnia tha se ishin anuluar 64% e prenotimeve për muajin mars dhe 62% e tyre për muajin prill.

…DHE FITUESIT JANË

Teksa pandemia e koronavirusit goditi rëndë ekonomitë e rajonit, ajo pati edhe disa efekte të dobishme.

Teksa shkollat ​​dhe universitetet u mbyllën, të gjitha platformat e mësimit në distancë morën rëndësi parësore. Situata e paparashikueshme i detyroi bizneset të gjejnë shpejt mënyra për të thjeshtësuar operacionet duke lejuar një fleksibilitet sa më të madh në orarin e punës dhe vendndodhjen e punës. Kompanitë u detyruan gjithashtu të kërkojnë sa më shpejt zgjidhje teknologjike dhe zinxhirë alternativë furnizimi.

Për më tepër, edhe qeveritë janë nën presion për të rishikuar kodet e punës në mënyrë që të lehtësojnë punën nga shtëpia ose në distancë.

AIBEST, një organizatë e pavarur me bazë në Sofje, e cila bashkon kompani që ofrojnë shërbime të lidhura me transferimin e procesit të biznesit, operacionet e teknologjisë së informacionit, dhënien e procesit të njohurive dhe të tjera, ishte një nga organizatat që nuk vonoi në shfrytëzimin e mundësisë së krijuar.

“AIBEST është e gatshme të punojë së bashku me qeverinë dhe institucionet përgjegjëse, për të hartuar masa specifike, përfshirë ato teknologjike, që do të ndihmojnë biznesin dhe shoqërinë të përballen me kufizimet dhe të minimizojnë humbjet e shkaktuara nga COVID-19. Puna nga shtëpia, prezantimi i orarit fleksibël të punës, si dhe stimujt fiskalë për kompanitë e vogla dhe të mesme, janë vetëm një pjesë e nismave që ne jemi të gatshëm t’i diskutojmë dhe hartojmë së bashku me institucionet përgjegjëse, tha organizata.

Efektet pritet të rrisin efikasitetin në një periudhë afatgjatë, duke shpresuar që ajo të zgjasë përtej hapësirës kohore të pandemisë.