Banorët e fshatit Busavatë të Kamenicës do të protestojnë sot para Qeverisë së Kosovës për shkak të reformave arsimore të ndërmarra nga kryetari Qendron Kastrati, e të cilat parashikojnë mbylljen e disa shkollave në këtë komunë.
Ata kërkojnë ndërhyrjen e kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Arsimit Hykmete Bajrami për të mbrojtur fëmijë e tyre, të cilët rrezikojnë të mbeten pa arsim, shkruan Insajderi.
Tutje, protestë do të ketë edhe në Mitrovicë. Të pakënaqurit do protestojnë për Ndërmarrjen Publike “Trepça”.
Disa aplikantë që kishin konkuruar për t’u bërë pjesë e Ndërmarrjes Publike “Trepça”, kanë paralajmëruar protesta gjatë ditës së sotme. Sipas tyre, shkak i protestës është rikthimi i Shyqyri Sadikut në bordin e kësaj ndërmarrjeje.
Sadiku ka qenë pjesë e bordit deri më 27 shkurt, në ditën kur Qeveria Kurti kishte marrë vendim ta shkarkojë këtë bord. Pas këtij vendimi, ishte emëruar një bord i përkohshëm mbikqyrës në Trepçë, shkruan Gazeta Insajderi.
Protesta do të mbahet në orën 10:00 në qytetin e Mitrovicës tek Bordi i Trepçës, ndërsa kjo do të jetë protesta e 15-të për këtë çështje.