Prej mbrëmë, kur Qeveria mori masat preventive ndaj koronavirusit qytetarët e Kosovës kanë nisur në mënyrë masive që të sigurojnë rezervat ushqimore e produktet farmaceutike, shkruan Insajderi.
E një situatë të tillë, “më së miri” po e shfrytëzojnë marketet e farmacitë, të cilat kanë filluar edhe rritjen e çmimeve në treg brenda ditës.
Rasti konkretë është i një qytetarit nga Shakovica e Podujevës, i cili ka shkruar në adresë të Insadjerit pasi ka blerë një lloj të dezinfektimit.
Qytetari ka bërë me dije se sot rreth orës 12:30, ka blerë një lloj dezinfektuesi Alkool Etilik 96% në sasi prej 1L në vlerë prej 6.50 e që më parë thotë se e ka blerë në vlerë prej 3- 3.50 euro.
Edhe punonjësja e një farmacie në Prishtinë ka konfirmuar për Insajderin se një lloj i dezinfektuesit kushton më së shumti 4 euro.
“Alkooli Etilik 1 litërsh kushton përafërsisht 3.5 ose 4€”, ka thënë ajo.
Ndryshe, Ministria e Financave dhe ATK-ja kanë bërë me dije se për çdo rritje të çmimeve qytetarët mund të telefonojnë në tel: 0800 80 800 dhe ATK-ja dërgon ekipin në vendin e ngjarjes ku do të pësojnë dënime të mëdha.