Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, tha se seanca e jashtëzakonshme vjen si pasojë e situatës me koronavirusin.
“Prandaj do të procedojmë mocion procedural për përshpejtim të procedurave për shqyrtimin e këtij projektligji. Shqyrtimi i parë dhe i dytë i projektligjit të bëhet me shmangie nga afatet e parapara të rregullores së Kuvendit”, tha Selimi, raporton KOHA.
Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, u ka kërkuar deputetëve të flasin nga vendet ku janë ulur.
“Kjo sallë nuk i respekton kërkesat e IKSHP-së për distancë nga njëri-tjetri. Ndoshta një sugjerim që të flisni nga vendet e juaja sepse tash një deputet e përdori foltoren. Kjo sallë është dezinfektuar sot në mëngjes. Po shpresoj që sa më afër në qëndrime për miratim të buxhetit”, tha Osmani. 15:48
Deputetëve iu bëhet testi për koronavirus para se të hyjnë në seancë
Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë duke u testuar në hyrje të Kuvendit.
Secilit deputetë po i bëhet kontrolli i temperaturës para se të hyjë në sallën e seancave.
Në hyrje të Kuvendit secili u obligua që të dezinfektojë duart, raporton KOHA.
Pak prej tyre kanë vendosur maska apo doreza të cilat janë paraparë si masa mbrojtëse nga koronavirusi.
Kuvendi i Kosovës sot mban seancë të jashtëzakonshme me rend dite: Shqyrtimi i parë i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020.