Kompania italiane DiaSorin njoftoi se ka përfunduar në Spitalin Spallanzani në Romë dhe në Poliklinikën San Matteo në Pavia, studimet e nevojshme për të mbështetur miratimin e CE dhe FDA EUA, një test inovativ molekular për identifikimin e shpejtë të Covid-19.
Risia qëndron në faktin që testi, i cili do të tregtohet nën markën CE në Europë dhe do t’i prezantohet Food and Drug Administration për Emergency Use Authorization (autorizim për përdorim emergjent) në fund të marsit, mundëson marrjen e rezultateve brenda 60 minutave krahasuar me 5 – 7 orë të nevojshme aktualisht me metodologji të tjera.
Në vazhdën e njoftimit, aksionet e Diasorin në Bursën e Milanos dhe prezente në indeksin Ftse Mib u rritën me 10 pikë përqindje.
Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, kompania aktive në fushën e diagnostikimit in vitro, bëri të ditur se teknologjia MDX, e blerë nga DiaSorin S.p.a në vitin 2016 prej shumëkombëshes amerikane 3M Inc., u zhvillua si fillim për të dhënë përgjigje diagnostikuese të shpejta, si për përdorim ushtarak dhe civil. Deri më tani, DiaSorin ka instaluar më shumë se 800 aparate LIAISON® MDX në institute spitalore europiane dhe amerikane për të diagnostikuar infeksionet e gripit sezonal dhe një shumëllojshmëri infeksionesh virale dhe bakteriale.
“Ne morëm masa sapo u publikuan informacionet mbi sekuencën gjenetike të virusit, duke bashkëpunuar me qendrat italiane dhe amerikane për të zhvilluar teste molekulare të shpejta dhe të sakta për të përballuar këtë emergjencë shëndetësore. Kemi analizuar më shumë se 150 sekuenca virale të publikuara sot në databazën botërore të bankave gjenetike dhe kemi krijuar një test i cili tregon të gjitha variantet e njohura aktualisht të koronavirus Covid-19” – deklaroi Giulia Minnucci, R&D Director Europe në DiaSorin.
“Epidemia e koronavirusit ka krijuar alarm në të gjithë botën dhe i ka vënë në një presion të fortë sistemet e kujdesit shëndetësor për shkak të nevojës për të pajisur laboratorët me tekste diagnostikuese që të identifikojnë llojin e ri të virusit” – komentoi John Gerace, president i DiaSorin Molecular.
“Besojmë se është e rëndësishme që të zhvillojmë një test për identifikimin e koronavirusit, që të mund të sigurojë rezultate të sakta në kohëra të shpejta dhe të orientojë më së miri vendimet klinike. Si specialistë të diagnostikimit kemi detyrën t’i përgjigjemi në mënyrën më të shpejtë të mundshme kësaj emergjence, duke mobilizuar kërkuesit tanë për të realizuar një test të diagnostikimit molekular, dhe shpresojmë që kjo të ndihmojë në parandalimin e tij të mëtejshëm”.
Burimi: Forbes