Vetëm një kamion me lëndë të parë ka hyrë Kosovë nga shteti i Serbisë që nga 20 marsi, kur hyri në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për heqjen e tarifës për importin e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, thonë zyrtarë të Doganës së Kosovës.
Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganën e Kosovës në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se vendimi i qeverisë është duke u zbatuar, por që nuk ka rritje të hyrjes së mallrave apo lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
“Nuk kemi pasur ndonjë fluks të shtuar. Ka qenë vetëm një maune që është futur në Kosovë për doganim ditën e shtunë. Sot nuk kemi pasur asnjë import. Por, duhet gjithësesi t’ju them se edhe para se të zbatohet taksa 100 për qind, nuk kemi pasur import të madh, vetëm 26 milionë euro brenda një viti ka qenë importi për lëndën e parë”, tha Stavileci.
Sipas vendimit të ekzekutivit nga mesnata e së premtes (mes 20 dhe 21 marsit) janë hapur gjashtë pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë për të zbatuar vendimin e qeverisë për heqjen e tarifës për importimin e lëndës së parë nga ky vend. Kurse, nga 1 prilli, Qeveria e Kosovës pritet të nxjerr një vendim tjetër për heqjen e tërësishme të tarifave ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Instituti GAP në një raport të publikuar pak para se qeveria të merrte vendimin për heqjen e tarifës për lëndën e parë, vlerësonte se “në rast se ndodhë heqja e tarifës për lëndën e parë, në aspektin ekonomik ajo paraqet hap pozitiv për shkak se lënda e parë përdoret në krijimin e një vlere të shtuar, konkretisht në prodhimin e produkteve finale.
Në raportin e quajtur “Ndikimi i taksës 100 për qind për prodhim dhe çmime të produkteve në Kosovë, për periudhën krahasuese, janar – tetor 2019 dhe janar – tetor 2018”, thuhet se deri para aplikimit të taksës në vitin 2018, për prodhuesit e Kosovës, ulja e kostos së lëndës së parë është ndihmesë e madhe në rritjen e konkurrueshmërisë.
Në grupin e produkteve kryesore të importuar si lëndë e parë, para vendosjes se taksës, në hulumtim thuhet se janë gruri, llamarina, hekuri dhe çeliku, letra e të tjera.
Disa nga fabrikat e përpunimit të grurit e vlerësojnë të qëlluar vendimin e Qeverisë së Kosovës. Njëra nga to është Fabrika e Miellit “Vali”. Menaxheri i kësaj kompanie Alban Rrahmani, tha se aktualisht kanë rezerva të grurit, por shpejtë do të interseohen që të blejnë lëndën e parë, në kërë rast grurin në Serbi, për shkak të çmimit më të lirë.
“Po, do të blejmë grurin në Serbi. Transporti është më i lirë dhe çmimi është më i ulët i grurit”, tha Rrahmani.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për heqjen e pjesshme të tarifës ndaj importeve nga Serbia pasoi thirrjet e vazhdueshme të SHBA-së, por edhe BE-së që të shfuqizohet kjo masë dhe të rinis dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje paqësore.
Megjithatë, qeveria amerikane i ka konsideruar të pamjaftueshme masat e marra nga Qeveria e Kosovës për heqje të tarifës 100 për qind në lëndën e parë në prodhimet e importuara nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina.
Një burim brenda Qeverisë së Shteteve të Bashkuara ka thënë me shkrim për Radion Evropa e Lirë se vendimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti shihen si mënyrë për të blerë kohë.
Tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës është vendosur në nëntor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, si kundërpërgjigje, siç është thënë, ndaj fushatës agresive diplomatike të Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe për tërheqjen e njohjeve të saj.
Që nga atëherë, Beogradi zyrtar ka refuzuar të vazhdojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pa heqjen e kësaj tarife.
Ashtu si qeveria e ish-kryeministrit Haradinajt, edhe qeveria e re e kryeministrit Kurti është përballur me kërkesën e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për heqjen e tarifës, si kusht për rifillimin e dialogut Kosovë – Serbi, për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do të zgjidhte kontestin ndërmjet dy vendeve.
Që nga vendosja e taksës 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, importi nga këto shtete ka rënë për 99 për qind.
Para vendosjes së taksës doganore, Serbia ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë. Ky shtet, para 21 nëntorit, të vitit 2018 – kur u vendos taksa 100 për qind – gjatë një dite ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milion euro apo rreth 450 milionë euro brenda një viti.