Oda Ekonomike e Kosovës ka shpalosur disa propozime për mbështetjen e sektorit privat në Kosovë.
Ata përmes një konference për media i janë drejtuar Qeverisë së Kosovës, me disa kërkesa, ashtu që sipas tyre, ndikimi i krizës të minimizohet sa më shumë që është e mundur.
Sipas tyre, përfaqësuesit e sektorit privat, i sugjerojnë Qeverisë të zotohet për sigurimin e likuiditetit të mjaftueshëm në sistemin ekonomik të vendit, si në sektorin publik ashtu edhe në sektorin privat.
Propozimet e OEK-ut:
-Të sigurohen pagat nga Qeveria për sektorin privat, për të gjitha bizneset, të cilat Qeveria me vendim numër 01/07 të datës 11.03.2020 dhe vendimet tjera pasuese ua ka ndërprerë veprimtarinë e tyre afariste, dhe këto biznese nuk mund të sigurojnë më të hyra për pagat e të punësuarve në sektorin privat. Pagat e punëtorëve të sektorit privat të paguhen në bazë të listës së pagave të të punësuarve të realizuara nga muaji paraprak përmes ATK-Trusti.
Të kompensohen nga Qeveria shpenzimet e qirasë së objekteve, zyrave, depove etj, të sektorit privat derisa të ndryshohet vendimi i Qeverisë për të filluar puna normale.
-Të paguhet nga Qeveria tatimi në fitim, për kuartalin e parë (TM1) dhe obligimet tjera tatimore për sektorin privat, derisa të ndryshohet vendimi i Qeverisë së Kosovës për të filluar puna normale.
-Qeveria të krijojë Fondin për mbështetje financiare -Pako stimuluese për sektorin privat.
-Të merret vendim nga Qeveria për shtyrjen e afatit të raportimit financiar në Këshillin për raportim financiar të Republikës së Kosovës në afat prej 3 muajve.
-Të prolongohen obligimet e kësteve të kredive për sektorin privat në afatin kohor prej tre muajsh, duke filluar nga data 1 prill deri më 1 korrik.
Të zgjatet me automatizëm afati i licencave të operimit, të gjitha licencat të cilave u ka skaduar afati deri në marrjen e një vendimi tjetër.
-Të lirohen nga pagesat operatorët e transportit rrugor të udhëtarëve me rastin e vazhdimit të rendeve të udhëtimit nga MIA dhe të subvencionohet nga ana e Qeverisë regjistrimi i automjeteve transportuese për bartjen e udhëtarëve, mallrave si dhe makineritë e pajisjet tjera të sektorit privat, si dhe të lirohet nga akciza për derivate të naftës gjatë kohës sa zgjasin masat e Qeverisë.
-Të hiqet vendimi administrativ i kufizimit në tërheqjen e parasë së gatshme nga llogaritë bankare, komerciale e sidomos për institucionet financiare jo bankare nga BQK.