Opozita thërret seancë për të kërkuar llogari nga “qeveria e papërgjegjshme në raport me SHBA-në”

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë në një konferencë të jashtëzakonshme, se kryeministri Albin Kurti është “i paaftë” dhe “po e rrezikon aleancën e Kosovës me SHBA-në”.

Kreu i PDK-së, ka thënë bashkë me deputetët e partive tjera opozitare, kanë ftuar për nesër një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit “për të kërkuar llogari” nga Qeveria Kurti për qasjen e saj ndaj SHBA-së.

“Për ta parandaluar një dëm të tillë, së bashku me deputetët e partive të tjera opozitare, ne kemi ftuar për nesër, në orën 15, një seancë të jashtëzakonshme – për të kërkuar llogari nga kjo Qeveri e papërgjegjshme në raport me qasjen e saj ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Veseli.

Reklama e sponzorizuar

Ai tha se PDK-ja i merr me shqetësim serioz paralajmërimet e fundit për Kosovën nga SHBA-ja për tërheqjen e trupave ushtarake dhe suspendimin e programeve zhvillimore në vlerë prej qindra miliona dollarësh.

“Si asnjëherë më parë, kjo aleance e shenjtë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës po vihet në rrezik nga një Kryeministër i paaftë për të kuptuar e vepruar drejt, nga një Kryeministër pa vizion e pa përgjegjësi. Për fat të keq, gjithnjë e më shumë po vërtetohet se kjo Qeveri është rrezik për interesin e përgjithshëm nacional. Ky rrezik vjen nga kjo Qeveri që ka mungesë të gatishmërisë për të marrë përgjegjësi dhe vendime në interes të vendit dhe qytetarëve tanë. Dëmi që po shkakton është i rëndë”, tha Veseli në konferencën për media pas mbledhjes së kryesisë së partisë.

Lideri i opozitës ka ftuar qytetarët e Kosovës, mbi çdo dallim politik, ta ngrenë zërin kundërshtues para këtij rreziku, me pasoja të paparashikueshme.