Urdhëresa për mbarëvajtjen e veprimtarisë ekonomike gjatë emergjencave të shëndetit publik, jo nga të gjitha bizneset është respektuar këto dhjetë ditët e fundit, që kur është sjell nga Qeveria e Kosovës më 14 mars, për shkak të situatës së krijuar për parandalimin e shpërhapjes së koronavirusit.
Megjithëse shumica bizneseve në qytetin e Pejës janë duke e respektuar këtë urdhëresë, policia në Pejë, bashkë me Inspektoratin Komunal, gjatë kontrollove të kryera në terren kanë hasur edhe në biznese të hapura të cilave me këtë urdhëresë u ndalohet puna.
“Kemi qenë shumë aktivë dhe në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Pejës dhe Inspektoratin Komunal. Është një numër i madh i bizneseve që i kanë respektuar strikt urdhëresat e Qeverisë së Kosovës në këtë situatë emergjente. Mirëpo, kemi pas edhe një numër të tyre që nuk i kanë respektuar këto urdhëresa, konkretisht urdhëresën për mbarëvajtjen e veprimtarisë ekonomike gjatë emergjencave të shëndetit publik”, tha për KOHA, Ndue Nikolla, komandant i Stacionit Policor të Pejës.
Ai tregoi se prej datës 14 mars dhe deri më 24 mars janë iniciuar 23 raste ndaj të 23 të dyshuarve që nuk e kanë respektuar urdhëresën e Qeverisë së Kosovës.
“Është konsumuar vepra penale ‘mosveprimi sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë’. Secili lokal që ka punuar në kundërshtim me këtë urdhëresë, ju ka iniciuar procedurë penale. Dhe pjesa dërmuese e rasteve kanë kaluar edhe me ndalim policor prej 48 orësh. Konkretisht prej tyre, me vendim të prokurorit, janë dërguar në ndalim policor 16 persona. Jemi shumë të vendosur në këtë drejtim pa asnjë pikë tolerance ndaj secilit biznes që nuk i respekton këto vendime të qeverisë në këtë situatë emergjente”, tha majori Nikolla.
Këta të dyshuar që janë ndaluar për 24 orë, sipas zëdhënësit të Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, pasi ju kalon masa e ndalimit lirohen dhe ndaj tyre zhvillohet procedura e rregullt penale.
Për shkak të situatës emergjente shëndetësore që aktualisht është duke mbizotëruar në vend për shkak të koronavirusit, ndaj shkelësve të këtij vendimi, procedurat do të zhvillohen pasi të krijohen kushtet që lejojnë rrethanat. Që do të thotë se kur të kalojë kjo situatë dhe kthehet normaliteti, të gjithë ata persona do të përballen me veprën penale “mosveprimi sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”, respektivisht me nenin 250 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, sipas të cilit kushdo që gjatë kohës së epidemisë ose të ndonjë sëmundjeje ngjitëse nuk vepron sipas urdhrave apo vendimeve tjera të nxjerra në bazë të dispozitave të organit kompetent, i cili cakton masat që kanë për qëllim luftimin apo parandalimin e tyre, dënohet deri me dy vjet burgim.