Kryeministri Edi Rama bëri një tjetër njoftim këtë të hënë duke përshkallëzuar masat e qarkullimit edhe për këmbësorët. Nisma duket se lidhet me faktin që pavarësisht karantinimit në mjedise të hapura apo parqe qytetarët qarkullojnë lirisht apo qëndrojnë për orë të tëra. Rama nënvizon se do të ketë gjoba ndaj atyre që shkelin rregullat teksa detajon se sdo të ketë daljë pas orës 18:00.
- “Duke nisur nga sot, çdo ditë në vijim pas orës 18.00 do të ndalohet edhe lëvizja me këmbë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë!
- Nga nesër, në zbatim të urdhërit të Ministres së Shëndetësisë, do të përfshihen në aktin normativ dhe do të hyjnë në fuqi menjëherë gjoba edhe për këmbësorët pas orës 18.00, si edhe në çdo orë të ditës për ata që ulen në parqe apo mjedise të tjera të hapura!
- Ndjesë 1000 herë po s’ka rrugë tjetër për ta fituar këtë luftë, ku askush përveç atyre që shërbejnë në strukturat kritike të shtetit dhe atyre që punojnë në hallkat themelore të zinxhirit ekonomik të vendit, nuk duhet të dalë nga shtëpia përveçse për nevojat bazë të furnizimit me ushqim apo ilaçe!
- Shëtitjet nuk janë domosdoshmëri jetike në këtë kohë lufte dhe uljet nëpër parqe janë të palejueshme! më shani e talluni me mua sa të doni, s’ka asnjë problem, po mos i diskutoni fare dhe aq më keq t’i thyeni rregullat!
- Frikë aspak, po kujdes po! Deri në fund! Kjo nuk është lojë kukamçemthi që mbaron kur duam ne, po luftë që ne do ta fitojmë vetëm duke i bëre me vullnet të hekurt të gjitha këto që nuk duam!”, shprehet Rama.