Pesëdhjetë minatorë të rinj të Trepçës janë futur në grevë, pasi druajnë se konkursi përmes të cilit u pranuan në punë së fundi, do të anulohet nga Qeveria, njofton KP-ja.
Minatorët e rinj kanë zgjedhur horizontin e 11-të në Stan Tërg për të nisur grevën.
Drejtori gjeneral i Trepçës, Bastri Ibrahimi, ka konfirmuar lajmin për KP-në.
Aktualisht në minierën e Stan Tergut ndodhet zëvendëskryeministri Haki Abazi dhe drejtori gjeneral, Bastri Ibrahimi, të cilët janë duke biseduar me minatorët e rinj për t’i bindur ata që ta ndërpresin grevën.
Greva ka nisur në orën 08:00 të mëngjesit dhe minatorët janë të vendosur të vazhdojnë grevën.
Po ashtu, një grup tjetër i qytetarëve që kishin konkurruar në këtë konkurs dhe nuk janë pranuar, kanë protestuar për disa ditë para minierës së Trepçës. Ata, javën e kaluar kanë pasur takim me kryeministrin Albin Kurti, i cili u ka premtuar anulimin e konkursit.
Një protestë e minatorëve të Trepçës është zhvilluar edhe sot në mëngjes para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.