Prokuroria Themelore në Gjilan, përkatësisht, Departamenti për Krime të Rënda, sot ka ndaluar të dyshuarin B.M., me dyshimin se ka kryer veprën penale ‘’Vrasje e rëndë në tentativë’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, thuhet në komunikatën e lëshuar për medie nga kjo prokurori.
Ekziston dyshimi i bazuar se, gjatë ditës së sotme, përkatësisht më 28 mars 2020, rreth orës 13h, në fshatin Verbovc, komuna e Kllokotit, i dyshuari B.M., i nacionalitetit serb, për shkak të një mosmarrëveshje paraprake, ka tentuar që t’a privonte nga jeta, të dëmtuarin Z.J., i nacionalitetit serb – zyrtar policor, jashtë detyrës zyrtare, në atë mënyrë që me armë zjarri ka shtënë dy herë në drejtim të tij, me ç’rast i njëjti ka marrë dy plagë, për të cilat është dërguar për ndihmë mjekësore në QKUK, në Prishtinë”, thekson komunikata.
Tutje bëhet e ditur se me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, me dyshimin e veprës penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe ndaj tij brenda afatit ligjor do të kërkohet masa e paraburgimit, nga Gjykata kompetente në Gjilan.