Politikanja gjermane, Jamila Schaefer, e cila është pjesë e “ BÜNDNIS90/DIE GRÜNEN” ka bërë thirrje që t’u jepen fund lojërave të rrezikshme politike në Kosovë në një kohë kur vendi po përballet me pandeminë COVID-19, raporton Gazeta Express.
Një reagim të tillë Schaefer e ka bërë në llogarinë e saj zyrtare në ‘twitter’, duke thënë se të gjithë akterët përfshirë edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës duhet të heqin dorë nga lojërat politike në këtë kohë krize.
Politikanja gjermane tutje ka thënë se presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, po bënë përpjekje për të rrëzuar qeverinë që po drejton Albin Kurti, duke shfrytëzuar sitautën e krijuar nga koronavirusi.
Sipas saj lëvizje të tilla rrezikojnë përparimin që ka bërë Kosova gjatë gjithë këtyre viteve në përparimin e demokracisë.
“Presidenti i Kosovës, Thaçi po përpiqet të përdorë situatën me COVID-19 për të rrëzuar qeverinë e kryeministrit Kurti. Kjo lëvizje rrezikon përparimin e demokracisë që ka arritur Kosova. Të gjithë akterët, përfshirë LDK’në, u kërkohet t’iu japin fund këtyre lojërave të rrezikshme politike në kohë krize”, ka shkruar politikanja gjermane Jamila Schaefer.
Që të mos rrëzohet qeveria në këtë kohë pandemie ka kërkuar edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Carmon Taubadel. Ajo ka thënë se procedimi i mocionit të LDK’së për rrëzimin e Kurtit do të ishte një katastrofë për Republikën e Kosovës dhe për rajonin në përgjithësi, shkruan Express.
Dy partnerët e koalicionit qeverisës kanë thelluar ndasitë mes vete pas shkarkimit të Agim Veliut nga Kurti dhe pas refuzimit të këtij të fundit për të hequr taksnë siç po kërkojnë Shtetete e Bashkuara të Amerikës.
Partia e drejtuar nga Isa Mustafa ka mbledhur nënshkrimet dhe ka deponuar në Kuvend kërkesën për seancë për votimin e mocionit të votëbesimit për qeverinë Kurti, nismë e cila është përkrahur nga PDK, AAK dhe NISMA.